Këto të dhëna janë bërë të ditura sot nga Instituti GAP, i cili mbajti konferencën “Efektet e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” Me këtë rast analisti i politikave në GAP Berat Thaçi, prezantoi të gjeturat kryesore të analizës. Thaçi tha se përderisa TVSH është ulur në një numër të vogël produktesh, ajo është ngritur për 18 përqind në shumicën e produkteve dhe kjo ka pasur ndikim pozitiv në të hyrat doganore.
Nga kjo rritje e TVSH-së , sipas Thaçit Dogana e Kosovës ka mbledhur mesatarisht 4.5 milionë euro më shumë në periudhën janar-gusht 2016 sesa në periudhën janar-gusht 2016. Po ashtu, Thaçi tha se rritja e TVSH-së nga 16 në 18 përqind ka pasur ndikim pozitiv ku Dogana e Kosovës ka mbledhur rreth 68 milionë euro më shumë.
Një ndikim tjetër pozitiv që ka prodhuar rritja e TVSH-së, sipas Thaçit është edhe rritja e të hyrave të ATK-së, ku vetëm përgjatë periudhës shtator- dhjetor 2015 ATK ka mbledhur rreth 6.5 milionë euro më shumë të hyra nga produktet në të cilat është aplikuar TVSH-ja e ngritur.Po ashtu, Thaçi tha se aspekt tjetër me rëndësi i ndryshimeve tek ligji mbi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar janë edhe ndryshimet të cilat e prekin në mënyrë direkte bizneset, por që natyrisht pastaj edhe qytetarët sepse këto ndryshime mund të kenë efekt me të madhe në punësim apo potencialisht në rritje të eksportit.
Në fund, ai prezantoi edhe rekomandimet e dala nga kjo analizë ku GAP rekomandon se krahas uljes së TVSH-së për disa produkte dhe shërbime, Ministria e Financave duhet të paraqesë lehtësime direkte tatimore për qytetarët si masa më efektive për rishpërndarjen e të hyrave; Ministria e Financave të fillojë lirimin gradual nga taksa doganore të lëndës së parë si dhe të ndajë buxhet për rritje të numrit të inspektorëve dhe trajnimeve për ATK-në si masë për uljen e informalitetit.