Galeria e Arteve në Prishtinë, në bashkëpunim me platformën qytetare “Liria Ka Emër”, sot në orën 19:00 do të hapë ekspozitën “Ditari i një fotografi të luftës”, të fotografit Visar Kryeziu.
Hapja e ekspozitës do të bëhet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Ekspozita sjell përmes fotografisë kujtime, dëshmi dhe momente nga lufta e Kosovës, duke e rikthyer në vëmendje sakrificën dhe rrugën drejt lirisë.
Ajo vjen si një ekspozitë në nderim të luftës së drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dëshmi e historisë sonë dhe si mesazh mbështetjeje për çlirimtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në Hagë.
Ekspozita është pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen në prag të Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në Hagë.