Portieri i Inter, Ionut Radu, u bë figura tragjike e ‘Nerazzurrëve’ edicionin e kaluar. Gabimi i tij kundër Bolognas ishte fatal që skuadra e tij në fund të përfundoi në pozitën e dytë në Serie A, transmeton Gazeta Metro.
Radu gjatë një interviste së fundmi ka kujtuar gabimin e tij, për të cilin thotë se gjithkujt mund t’i ndodhin gabime dhe askush nuk është i përsosur.
”Gjithmonë kam thënë se një gabim i ndodh të gjithëve, askush nuk është i përsosur. Ne punojmë për të bërë më mirë çdo lojë, pastaj ndonjëherë ndodh diçka. Ajo që kam thënë gjithmonë është se është e rëndësishme si i kaloni gabimet dhe si reagoni,” tha ai.
25-vjeçari bëri një gabim trashanik në minutën e 81’të më 27 prill, pasi nuk e kontrolloi në mënyrën më të mirë topin prej të cilit përfitoi sulmuesi, Nicola Sansone, dhe realizoi golin e fitores për Bolognan.
Pastaj deri në fund të kampionatit italian rivali lokal i Inter, Milan, pa shumë probleme arriti t’i fitonte të gjitha ndeshjet, me ç’rast edhe u shpall kampion pas 11 viteve në Serie A. /gazetametro.net