Loading…

G7 do të mbledhë 600 miliardë dollarë si kundërpërgjigje ndaj Kinës

  • 27/06/2022 | 09:09

G7 do të mbledhë 600 miliardë dollarë si kundërpërgjigje ndaj Kinës

Udhëheqësit e G7 u zotuan të dielën të mbledhin 600 miliardë dollarë fonde private dhe publike gjatë pesë viteve të ardhshme, për të financuar projekte infrastrukturore në vendet në zhvillim dhe për të kundërshtuar nismën e Kinës “Një brez dhe një rrugë”, transmeton Gazeta Metro.


Skema kineze e investimeve përfshin zhvillim dhe programe në më shumë se 100 vende me qëllim krijimin e një versioni modern të rrugës së lashtë tregtare të “Rrugës së Mëndafshit” nga Azia në Evropë.

Presidenti i SHBA Joe Biden, dhe liderë të tjerë të G7 filluan, “Partneritetin Global të Infrastrukturës dhe Investimeve” në mbledhjen e tyre vjetore në Schloss Elmau në Gjermani.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë 200 miliardë dollarë grante, fonde federale dhe investime private gjatë pesë viteve të ardhshme për të mbështetur projektet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që kontribuojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike, përmirësimin e shëndetit global dhe forcimin e barazisë gjinore, dhe infrastrukturës dixhitale.

Ai shtoi se qindra miliarda dollarë shtesë mund të vijnë nga bankat e zhvillimit shumëpalësh, fondet shtetërore dhe të tjera.

“Dua të jem i qartë. Kjo nuk është ndihmë apo mëshirë. Është një investim që do të shpërblehet për të gjithë”, tha Biden, duke shtuar se do t’i lejojë vendet të “shikojnë përfitimet konkrete të partneritetit me demokracitë”.

Në të njëjtën periudhë, Evropa do të mobilizojë 300 miliardë euro për të ndërtuar një alternativë të qëndrueshme ndaj nismës kineze e nisur nga presidenti kinez Xi Jinping në vitin 2013, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Përfitim i prekshëm

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se nisma e Kinës, Rruga dhe Brezi, ka ofruar pak përfitime të prekshme për vendet në zhvillim.

Si shembull i investimeve amerikane, Biden vuri në dukje disa projekte udhëheqëse, duke përfshirë një projekt zhvillimi të energjisë diellore prej 2 miliardë dollarësh në Angola të mbështetur nga Departamenti i Tregtisë, Banka e Eksportit-Importit të SHBA-së, AfricaGlobal Schaffer dhe Sun Africa, shkruan AJB.

Së bashku me anëtarët e G7 dhe Bashkimin Evropian, Uashingtoni do të sigurojë 3.3 milionë dollarë asistencë teknike për Institutin Pasteur de Dakar në Senegal për prodhimin e vaksinave të ndryshme.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do të dhurojë gjithashtu deri në 50 milionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për Fondin Global të Bankës Botërore për Promovimin e Kujdesit për Fëmijët.

Friederike Roder, nënkryetare e organizatës jofitimprurëse Global Citizen, tha se investimi i shpallur mund të jetë një “fillim i mirë” drejt një angazhimi më të madh të G7 në vendet në zhvillim./gazetametro.net

 

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë