Loading…

Ftesat e presidentit Thaçi për formimin e Qeverisë: A do të ketë takim me Kurtin

  • 30/03/2020 | 11:19

Ftesat e presidentit Thaçi për formimin e Qeverisë: A do të ketë takim me Kurtin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë kësaj jave do të nisë konsultat me partitë parlamentare lidhur me krijimin e Qeverisë së re pas rrëzimit të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, shkruan Gazeta Metro.


Edhe pse Lëvzja Vetëvendosje, si njëra nga partitë e koalicionit të Qeverisë tashmë në detyrë, e ka bërë të qartë se nuk do t’i përgjigjet kërkesës së Presidentit Thaçi për caktimin e një mandatari t ë ri, ajo se çfarë nuk dihet ende  është se a i ka dërguar ftesë Presidenti Thaçi Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili  është edhe lider i VV’së.

Derisa ky i fundit ka thënë se nuk do të shkojë në konsultime me Presidentin, pasi duan zgjedhje të reja, meqë sipas tij, kështu e thotë Kushtetuta e Kosovës, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka bërë të ditur nëse do t’i përgjigjen ftesës së Thaçit për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhje për formimin e Qeverisë së re pa mbajtje të zgjedhjeve të përgjithshme.

Haziri  ësht ë shprehur i painteresuar n ë lidhje me këtë proces, duke thënë se me zgjidhjen e kësaj çështje le të merret ai që e ka shkaktuar këtë krizë.

Mbrëmë zyra e presidentit bëri të ditur se ende nuk janë dërguar ftesat për liderët e partive politike për konsultime.

“Njoftimi nga Kuvendi ka ardhur të premten në fund të orarit të punës dhe për këtë ka qenë e pamundur që të ftohen për të hënën në konsultime përfaqësuesit e partive parlamentare. Ata do të ftohen nga presidenti në ditët e ardhshme për konsultime”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Mirëpo, siç interpretojn ë juristët, presidenti nuk do të mund ta kërkojë mandatarin tek partitë e tjera, përderisa fituesi i zgjedhjeve nuk e dërgon emrin.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të dielën e ka ftuar Thaçin të mendojë për datën e zgjedhjeve, para se t’ia kërkojë mandatarin.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2. Ky nen thotë se Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

“Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në versionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Së këndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes”, ka shkruar Kurti. Sipas tij, presidenti nuk duhet të hutohet në nenin 95, por të kufizohet tek neni 82.

“Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe shumica në Kuvend mandaton kandidatin e ri për të formuar Qeverinë”, thotë neni 95.5″, ka shkruar ai.

E që sipas Kurtit, ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti u rrëzua të mërkurën pas ngritjes së mocionit të mosbesimit nga partneri i koalicionit qeverisës, LDK, mocion ky i cili mori 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë