Frashër Krasniqi, nga Levizja Vetëvendosje, i është kundërpërgjigjur këshilltarit të kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli, pasi ky i fundit e quajti Dardan Molliqajn e VV-së “kriminel ordiner”.
E gjithë kjo ka nisur mbrëmë, kur Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit të vendit Isa Mustafa, në një bisedë në Interaktiv, ka thënë që LDK-ja qëndron prapa deklaratës se sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj është një “kriminel ordiner”.
Ndërsa Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kriminel është shefi i Havollit, Isa Mustafa, të cilit thotë se Havolli i ka ‘shërbyer përunjësisht gjatë gjithë kohës’.
“Kriminel je kur i detyron 100 mijë njerëz me e lëshu Kosovën; kur i pasuron djemtë me paret e shtetit; kur i fal territor shtetit fqinj; kur i jep “Zajednicë” shtetit armik; kur i përgjigjesh me dhunë policore çdo proteste qytetare; kur i bën shefat e krimit presidentë e kryeparlamentarë; kur monton raste e arreston njerëz vetëm pse i ke kundërshtarë politikë; kur i mbushë bordet e institucionet me familjarë e militantë; kur lejon ndërtim të mureve etnike brenda territorit tënd… Krejt këto, e shumë më shumë se kaq, i ka bë Isa Mustafa. Sokol Havolli i ka shërby përunjësisht gjatë gjithë kohës. Dardan Molliqaj e ka kundërshtu pa kompromis, po ashtu gjatë gjithë kohës. Kush janë kriminelët këtu?!”, ka shkruar Krasniqi./gazetametro.net