Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikoi që ekonomia botërore të zgjerohet me 3.1% gjatë vitit 2026, ndërsa investimet në inteligjencën artificiale dhe qëndrueshmëria e ekonomive të zhvilluara po ndihmojnë në ruajtjen e rritjes, transmeton Gazeta Metro.
Megjithatë, shtrenjtimi i energjisë, i lidhur me konfliktet gjeopolitike, mbetet një nga rreziqet kryesore për ekonominë globale, veçanërisht për shtetet me të ardhura të ulëta.
Në eurozonë, rritja ekonomike pritet të zbresë në 1.1% këtë vit, për shkak të kostove të larta dhe besimit të dobët të konsumatorëve. Ndërkohë, inflacioni parashikohet të arrijë në 3.1%, duke tejkaluar objektivin prej 2% të Bankës Qendrore Evropiane.
FMN-ja vlerësoi se ekonomia e eurozonës do të rritet me vetëm 1.2% në vitin 2027, ndërsa presionet inflacioniste mund të vazhdojnë edhe më tej. Rezervat e ulëta të gazit në disa pjesë të Evropës shtojnë shqetësimet përpara sezonit të dimrit.
Sa u përket ekonomive kryesore evropiane, Gjermania pritet të shënojë rritje prej 1.3%, ndërsa Spanja 2.5%. Franca parashikohet të ketë një performancë më të dobët, me rritje prej vetëm 0.4%.
Për Mbretërinë e Bashkuar, FMN-ja pret rritje prej 1.3% në vitin 2026, por parashikon ngadalësim në 1.2% gjatë vitit pasues, si pasojë e kostove më të larta të energjisë dhe interesit./gazetametro.net