Kosova ka shënuar progres dhe përmirësime në disa fusha ekonomike. Ky sukses lidhet me portfolio kreditore, ofrimin e shërbimeve tatimore online, si dhe përparime tjera të vogla.
Kështu vlerësohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i cili mbajti një seminar me Ministrinë e Finacave mbi Raportin vjeshtor të FMN-së 2016 për çështjet rajonale ekonomike për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL).
Ministri i Finacave Abdullah Hoti, tha se “raporti me të drejtë tregon për suksesin e Kosovës në drejtim të përmirësimit të kualitetit të portfolios kreditore. Kjo tregon për angazhimin e BQK-së dhe gjithë akterëve për një ambient më të mirë ekonomik, që ka ndikuar edhe në kualitetin e portfolios kreditore.
Kosova rangohet mjaft mirë për sa i përket kualitetit të administrimit me tatime. Ne siç e dini, kemi bërë reforma mjaft substanciale në drejtim të thjeshtësimit të procedurave dhe eliminimin e burokracisë, dhe kjo është kapur mirë nga ky raport”.
“Ofrimi i shërbimeve tatimore online, tregohet si një nga sukseset e Kosovës. Kosova në mesin e këtyre vendeve, duket të jetë lider në këtë drejtim, dhe ne do të vazhdojmë me një ritëm edhe më të shpejtë të automatizimit dhe kompjuterizimit të shërbimeve”, përfundoi Ministri Hoti./gazetametro.net