Loading…

Fjalori i degraduar deri në dhunë fizike është i rrezikshëm

  • 30/09/2017 | 23:20

Fjalori i degraduar deri në dhunë fizike është i rrezikshëm

Përpos që thyen të gjitha rregullat e paraqitjes publike si dhe ligjet në fuqi, diskursi i vrazhdë dhe me përmbajtje ofenduese në skenën politike si dhe dhuna verbale dhe fizike që prodhon ajo,  mund të shkaktojnë situata të padëshirueshme në vend, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike e shoqërore në Kosovë.


Politologu Ramush Tahiri, vlerëson se diskursi dhe sjelljet, me të cilat përfaqësues të caktuar të partive politike shërbehen në paraqitje publike, reflekton mungesën e intelektualizmit në politikë.

“Fatkeqësisht, Kosova po kalon në një lloj militantizmi dhe krahinorizmi, si dhe në një lloj animi ku argumentet nuk janë me rëndësi dhe ku po çmohet gjuha, kushtimisht thënë, e të fortit. Do të thotë, argumenti i forcës dhe jo argumenti i fjalës”, shprehet Tahiri për REL.

Mendim të përafërt shpreh edhe sociologu Shemsi Reçica. Sipas tij, në vend të ofrimit të argumenteve dhe fakteve në debate të ndryshme publike, ata ofrojnë një fjalor, siç e quan ai, të pistë, i cili është i rëndë, fyes dhe ofendues për bashkëbiseduesit.

“Pra, unë e shoh këtë si mungesë të punës, të rezultateve të punës, mungesë e argumenteve për t’u ballafaquar me problemet. Kjo, pastaj, kompensohet me fjalë boshe, por me fjalë të rënda, fjalë të pista, që kanë për qëllim, jo ta thonë një të vërtetë, por ta degradojnë dhe mundësisht ta çarmatosin bashkëbiseduesin, para atyre që e shikojnë ose dëgjojnë ose në raste të tjera edhe që e lexojnë”, vlerëson Reçica.

Degradimi i fjalorit publik, në përballje ndërmjet përfaqësuesve të partive politike, ka sjellë edhe përplasje fizike ndërmjet tyre. Ndodhi në një emision të drejtpërdrejtë televiziv, ndërmjet deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Milaim Zeka.

Kjo përplasje ka nxitur reagime të shumtat qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët mbanin anën e njërit ose tjetrit deputet.

Politologu Tahiri thotë se situatat e tilla mund të prodhojnë pasoja tejet negative, duke bartur përplasjet e tilla edhe në shoqëri.

“Po, sepse Kosova, fatkeqësisht, po shkon kah kjo skajshmëri e politikës dhe kah mungesa e dialogut. Duket se pushteti po çmohet me çdo kusht. Nuk po zgjidhen mjetet për të ardhur në pushtet, po edhe për ta mbajtur pushtetin”, thekson Tahiri.

Sociologu Reçica vlerëson se kjo situatë mund të sjelll rreziqe të tjera.

“Kjo dhunë, shfaqet në fillim, në studio, siç e pamë ne mbrëmë. Mirëpo, kjo pritet të shfaqet edhe në Kuvend dhe pastaj, prej Kuvendit mund të dalë jashtë Kuvendit, tek ithtarët e personave ose të grupeve politike”, shprehet Reçica.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë