Filmi gjerman i cili flet për refugjatin e vogël nga Kosova fiton çmimin “Grimme” në Gjermani.
Ky film bën fjalë për jetën e Lutviut 12 vjeçar, refugjat nga Kosova i cili jeton me familjen në Dortmund. Autorët e filmit, Jürgen Brügger dhe Jörg Haassengier rrëfejnë për frikën që ka Lutviu nga dëbimi në Kosovë, shkruan wdr.de, transmeton albinfo.ch. Shikuesi e përjeton përditshmërinë e vogëlushit, që sillet në mes të një barre enorme për moshën e tij dhe lehtësisë me të cilën e marrin jetën fëmijët.
E gjithë kjo, e projektuar në mënyrë konsekuente nga perspektiva e djaloshit. Sipas jurisë, kjo perlë e serisë së WDR-së dallon nga shumica e dokumentarëve me përpjekjen për të na sjellë më afër biografitë e refugjatëve të rinj.
Filmi është pjesë e projektit intermedial “Nordstadtkinder”, i cili përbëhet nga 10 filma dokumentarë që bëjnë fjalë për jetën e të rinjve nga Nordstadt-i i Dortmundit. /gazetametro.net