Loading…

Filharmonia e Kosovës duartrokitet në Poloni

  • 17/10/2026 | 21:42

Filharmonia e Kosovës duartrokitet në Poloni

Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës janë pritur me duartrokitje të gjata nga publiku polak, pas një koncerti të suksesshëm në skenën e Filharmonisë së Krakovit, nën drejtimin e dirigjentit Wojciech Czepiel.


Koncerti u realizua në bashkëpunim me Filharmoninë e Krakovit dhe Institutin e Dialogut Ndërkulturor “Papa Gjon Pali II” në Krakov, duke shënuar një tjetër pikë të rëndësishme në bashkëpunimin kulturor ndërmjet Kosovës dhe Polonisë.

Në këtë mbrëmje muzikore u paraqitën edhe solistët Joanna Konarzewska në violinë, Adelina Pajoja në soprano, Ivana Hoxha në mezzosoprano, Piotr Kalina në tenor dhe Arkadiusz Jakus në bas-bariton, të cilët së bashku me orkestrën, korin dhe dirigjentin u vlerësuan nga publiku për interpretimin e tyre.

Programi ndërthuri trashëgiminë muzikore polake me krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë nga Kosova. Mbrëmja u hap me “Ciaccona” nga “Requiemi polak” i Krzysztof Pendereckit, vepër e shkruar si homazh për Papa Gjon Palin II. Në vijim u interpretua poema simfonike “Skënderbeu” e kompozitorit kosovar Fahri Beqiri, e cila ndërthur traditën muzikore perëndimore me elemente të kulturës kombëtare shqiptare.

Pjesë e programit ishte edhe “Koncerti për violinë nr. 1” i Karol Szymanowskit, një nga veprat e rëndësishme të repertorit koncertant polak, si dhe “Homagium Matri Teresiae” e kompozitorit kosovar Mendi Mengjiqi, kushtuar Nënë Terezës.

Kjo vepër, e interpretuar për herë të parë në Krakov më 1999, po ashtu nën drejtimin e Wojciech Czepielit, u rikthye në skenë si një pikëtakim artistik mes identitetit kulturor të Kosovës dhe trashëgimisë së Nënë Terezës.

Koncerti dëshmoi potencialin e muzikës për të afruar kultura të ndryshme dhe për të krijuar ura bashkëpunimi mes artistëve e publikut, duke prezantuar krijimtarinë muzikore të Kosovës në një skenë të rëndësishme ndërkombëtare

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë