Kompanitë e mëdha Fiat Chrysler dhe Renault duan të shkrihen në një kompani gjigante që do të ishte e treta në botë për prodhimin e automjeteve duke e tejkaluar General Motors e SHBA’ve, transmeton Gazeta Metro.
Propozimi për bashkimin e dy kompanive u dorëzua sot nga Fiat Chrysler Automobiles kompanisë franceze Renault, kjo lëvizje do të ndryshonte tregun botëror në këtë industri. Kjo kompani do të ishte e treta në botë me kapacitet prodhimi 8.7 milionë automjete në vit, duke kaluar kompaninë amerikane General Motors, e duke ju afruar gjigantëve japonez Toyota, e atyre gjermanë Volkswagen.
Njoftimi i sotëm për ofertën e dorëzuar pati ndikim në tregun botëror po ashtu, ku vlera e aksioneve të të dyja kompanive pësuan rritje prej 10 %.
Njoftohet se në kompaninë Renault u mirëprit kjo ide, ku bordi është takuar sot në qendrën e tyre në Paris për të diskutuar propozimin. Pas takimit të tyre thanë se do ta shqyrtojnë ofertën me shumë vëmendje. Në komunikatën e Renault thuhej se bashkimi do të shtonte rëndësinë industriale të tyre dhe do të ishte ngritje e vlerës së aleancës me kompanitë nga Japonia, Nissan dhe Mitsubishi.
Në komunikatën e Fiat Chrysler thuhej se kompanitë do të i ulnin shpenzimet për 5 miliardë Euro në vit, pasi kompanitë do të ndanin punën kërkimore, shpenzimet dhe aktivitete tjera. Aty thuhej se në marrëveshje nuk përfshihej mbyllja e fabrikave, por nuk u përmend mbyllja e vendeve të punës.
Kjo shkrirje do të i përshtatej të dy kompanive pasi e plotësojnë njëra tjetrën në treg, pasi Fiat Chrysler janë më me ndikim në SHBA ndërsa Renault kanë përparësi në Evropë dhe zhvillim të teknologjisë së re të automjeteve elektrike. Së bashku kompania e re do të vlente rreth 40 miliardë Euro.
Qeveria franceze që zotëron 15 % të Renault tha se e mirëpret këtë ide por do të studiojë idenë e shkrirjes por do të studiojë kushtet e shkrirjes më tepër./gazetametro.net