Kjo fundjava mund të shënojë edhe fillimin e kampionatit të Kosovës në futboll.
Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll që ishte paraparë të nis me 12 shtator u shty për shkak të kërkesës së qeverisë, derisa sipas të gjitha gjasave do të nisë këtë fundjavë.
Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka konfirmuar për “Zeri.info” se sot do të takohet Komiteti Ekzekutiv i FFK-së dhe do të marrë vendim për fillimin e kampionatit.
“Po, sot do të kemi një takim dhe do të vendoset për fillimin e kampionatit. Gjasat janë të mëdha që të nisim këtë fundjavë”, ka thënë Salihu.
Presioni i komitetit sportiv në adresë të institucioneve vendore që të nisin aktivitetet sportive në Kosovë së fundmi është shtuar maksimalisht, pasi Kosova është vendi i vetëm në rajon që vazhdon të mbetet i mbyllur.