Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marrë vendim që ndeshjet gjysmëfinale dhe ato finale të Final 8 Kupës së Kosovës që është duke u organizuar në Pejë të mos lejohet pjesëmarrja e tifozërive të organizuara, shkruan Gazeta Metro.
FBK ka thënë ka qenë e detyruar ta marrë këtë vendim pasi në ndeshjet e para çerekfinale tifozët e organizuar nuk i kanë respektuar masat në fuqi të Qeverisë së Republikës së Kosovës për anti-Covid19.
“Duke qenë se grupet e tifozëve të pranishme në palestrën “Karagaçi” nuk iu bindën urdhrave për bartje të maskës dhe sigurim të distancës fizike, duke pamundësuar kësisoj respektimin e masave nga organizatori dhe Federata, në palestër prej ndeshjeve gjysmëfinale e deri te ato finalet në të dyja konkurrencat do të lejohen vetëm shikuesit e vaksinuar që nuk vijnë në mënyrë të organizuar dhe që zotohen të respektojnë masat në fuqi për anti-Covid19”, thuhet në njoftimin e FBK’së.
Ndër të tjera Federata e Basketbollit të Kosovës shton se gjithashtu edhe shikuesit të cilët janë të vaksinuar dhe nuk i respektojnë masat në fuqi anti-Covid19 (bartja e maskës dhe distanca fizike) pas vërejtjes së parë do të largohen nga palestra.
Më poshtë gjeni edhe deklaratën e Federatës së Basketbollit të Kosovës. /gazetametro.net