Loading…

Fati i PAN’it përcaktohet më 3 gusht

  • 26/07/2017 | 08:45

Fati i PAN’it përcaktohet më 3 gusht

Seanca konstituive e Kuvendit, e cila pritet të mbahet më 3 gusht, do ta qartësojë përfundimisht enigmën nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) i ka apo jo votat.


Gjatë asaj dite, testi i PAN-it do të nisë me zgjedhjen e kryeparlamentarit, me të nominuarin ende jozyrtar Kadri Veselin. Përderisa përfaqësues të PAN-it kanë thënë se kandidat për këtë post do të jetë Kadri Veseli, ky i fundit nuk ka pranuar të flasë rreth kësaj çështjeje.

“Më datën 3 gusht do ta kemi seancën konstituive, në të njëjtën kohë do t’i kemi hapat të cilët do të ndërmerren për kandidaturat e propozuara për kryetar të Kuvendit, i cili domosdoshmërisht do të jetë nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga koalicioni PAN. Për vendimmarrje do t’ju njoftojmë”, ka deklaruar Veseli pas mbledhjes së fundit që pati kryesia gjatë ditës së djeshme.

Mirëpo Rasim Selmanaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, njëherësh deputet nga radhët e koalicionit PAN, ka thënë se kandidati për kryeparlamentar, Kadri Veseli, do të votohet më 3 gusht. “Seanca konstituive duhet të mbahet dhe kryeparlamentari duhet të zgjidhet sepse duhet vazhduar me procedura. Sigurisht se do të votohet z. Veseli, në mënyrë që të shkohet më tutje”, ka deklaruar ai më tej, ku ka thënë se PAN-i i ka votat për ta bërë Qeverinë dhe për ta zgjedhur kryeministër Ramush Haradinajn.

“E kemi thënë, Ramushi do t’i marrë votat e deputetëve dhe do të bëhet kryeministër”, ka potencuar ai.

Ndërkohë, ka thënë se Qeveria mund të votohet të njëjtën ditë kur do të konstituohet Kuvendi, por edhe pak ditë më tej.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë