Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar me diskursin e njëjtë, ku po i fajëson qytetarët se nuk janë në dijeni për faturën mujore të energjisë elektrike. Tash kryeministri po thotë se ka thënë që shumica nuk janë në dijeni dhe jo të gjithë, shkruan Gazeta Metro.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë disa sqarime para deputetëve, edhe për deklaratën e tij se qytetarët mund të fantazojnë, por ka dy opsione – reduktime të rrymës ose rritje të çmimit.
Në debatin për shtrenjtimin e rrymës, Kurti është sqaruar edhe për deklaratën tjetër, se aq lirë ka qenë energjia elektrike, sa qytetarët s’kanë ditur sa paguajnë.
Duke u munduar të arsyetohet, Kurti u shpreh se e kishte fjalën për shumicën e qytetarëve dhe jo për të gjithë.
“Unë s’po them që shumica e qytetarëve nuk e dinë sa është fatura, por po themi se numër më i madh I qytetarëve që nuk e kanë ditur sa është fatura mujore, keni pasur në katër vjetët e fundit. Numri më i madh është në këto katër vjetët e fundit, s’po them shumica as të gjithë. Më tutje, unë kam mirëkuptim për dëshirat, besoj që njeriu është subjekt i dëshirës, ne jemi ata që jemi si njerëz dhe për shkak që dëshirojmë, mirëpo as subvencion, as shkyçje, as shtrenjtim, është regjistri i fantazisë. Fantazia nuk është zgjidhje, unë po iu ftoj të zbrisni në tokë dhe të diskutojmë. Ju mund ta përfytyroni një botë të tillë, ku s’ka as shkyçje, as shtrenjtim e as subvencion, por ajo është fantazi – nuk është realitet”, tha ai./gazetametro.net