Një nismë e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për krijimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, që, sipas tij, do të hapte një kapitull të ri “në raportet ndëretnike në vend”, është parë me shumë dilema në mesin e dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarë dhe serbë.
Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë njoftuar se edhe mbi 1600 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur ndërkohë që familjarët e tyre thonë se ideja e Thaçit për pajtim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve është ende e hershme meqë, sipas tyre, “plagët nga lufta nuk janë mbyllur”.
Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, i tha Radios Evropa e Lirë, se përpara pajtimit duhet të dihet deri në fund e vërteta se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.
“…pas saj vjen pajtimi. Por, pa dalë në dritë e vërteta nuk ka… për të gjithë edhe për popullatën shqiptare, serbe, malazeze etj.”, tha Qerkini.
Sipas tij, “çështja e pajtimit mund të marrë më shumë kohë dhe ajo nuk mund të përmbyllet shpejt”.
“Të enjten bëhet një gërmim [për varrezë të dyshuar] në Mitrovicë midis qytetit te ura e lumit Ibër. Ka ende gjëra të freskëta dhe pajtimi një herë nuk mund të bëhet”, tha Qerkini.
Njëkohësisht me deklarimet e familjarëve të të zhdukurve shqiptarë edhe ata të komunitetit serb në Kosovë thanë se zbardhja e fatit të të zhdukurve është thelbësore për të nisur një proces të pajtimit, megjithëse nuk e kundërshtuan idenë e presidentit Thaçi.