Misioni evropian për rend dhe ligj në Kosovë, EULEX, thotë se hetimet e autoriteteve të Kosovës si dhe autopsia lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, janë kryer në mënyrë të saktë dhe profesionale.
Përmes një komunikate për media EULEX shpreh mbështetje për Ministrinë e Drejtësisë “për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në shërbimet korrektuese”, thuhet se ky mision ka monitoruar këtë rast dhe se iu beson të gjeturave të autoriteteve, duke lënë të nënkuptohet se versioni i publikuar nga Porkuroria se Astrit Dehari është vetëvrarë, është i saktë.
“Si pjesë e mandatit të tij, EULEX-i e monitoroi këtë rast dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme. Tri agjencitë përkatëse që kanë qenë të përfshira vazhdojnë t’i përmbushin obligimet ashtu siç pritet nga to. Nga rastet si ky gjithmonë nxirren mësime, ndërsa elementi më i rëndësishëm drejt përmirësimit është vënia në jetë e këtyre mësimeve”, thuhet në komunikatën për media.
“Ndonëse rrethanat janë të jashtëzakonshme, institucionet e Kosovës kanë zbuluar se Astriti ka qenë i vetëm në qeli në kohën kur ka ndodhur rasti. Këtë e konfirmojnë incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm. EULEX-i i mbështetë të gjeturat dhe konstatimin logjik të nxjerrë prej fakteve dhe provave të gjetura gjatë hetimeve dhe autopsisë”, thuhet tutje në komunikatë.
Por, EULEX nënvizon se Shërbimi Korrektues i Kosovës duhet të bëjë më shumë për të parandaluar incidentet si ky në të ardhmën.
“Megjithatë, gjithçka që lidhet me vdekjen e Astrit Deharit duhet të shërbejë për të rikujtuar se megjithëse Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke u përpjekur që të bëjë përmirësime, duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen për t’i parandaluar incidentet si ky dhe humbje të jetëve tjera”, thuhet në komunikatë.
“EULEX-i e përshëndetë theksin e veçantë dhe përmirësimet e iniciuara nga Ministrja e Drejtësisë me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës në kuadër të sistemit të sundimit të ligjit. EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera të sundimit të ligjit që të ecin tutje në këtë drejtim”. /gazetametro.net