Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë po i afrohet gjysmës së tij, me 1,167 vendvotime të përpunuara nga gjithsej 2,498, ose 46.72 për qind të totalit, shkruan Gazeta Metro.
Të dhënat e deritanishme po qartësojnë kandidatët që pritet të sigurojnë ulëse në legjislaturën e ardhshme, ndërsa renditjet brenda partive po konsolidohen.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurti vazhdon të udhëheqë bindshëm me mbi 108 mijë vota, ndërsa pas tij renditet Glauk Konjufca. Mes emrave më të mbështetur janë edhe Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla dhe Avni Dehari.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka kaluar shifrën e 54 mijë votave dhe mban vendin e parë, ndërsa pasohet nga Përparim Gruda. Në grupin e kandidatëve më të votuar renditen edhe Arian Tahiri, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.
Ndërkaq, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe Lumir Abdixhiku kryesojnë listën, kurse në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës më së shumti vota deri tani kanë marrë Ardian Gjini dhe Ramush Haradinaj.
Me numërimin ende në vazhdim, renditjet mund të pësojnë ndryshime, por rezultatet aktuale tashmë po japin sinjale të qarta për përbërjen e ardhshme të Kuvendit./gazetametro.net