Loading…

‘Është tepër shtrenjtë, kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi’: Kurti në fushatë premtonte uljen e çmimit të rrymës

  • 18/01/2022 | 21:38

‘Është tepër shtrenjtë, kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi’: Kurti në fushatë premtonte uljen e çmimit të rrymës

Gjatë fushatës zgjedhore në shtator të vitit 2019, Albin Kurti, kishte premtuar uljen e çmimit të rrymës në amvisëri, derisa dje ka thënë se shtrenjtimi i rrymës nuk është në kompetencën e Qeverisë. Gjithashtu Kurti në fushatë kishte thënë se çmimet e energjisë elektrike janë të larta, derisa dje ka thënë se çmimet e energjisë elektrike janë të lira, shkruan Gazeta Metro.


Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim që të aprovojë propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike për disa grupe të konsumatorëve.

Ky lajm ka nxitur mjaft shumë reagime në opinionin publik, ndërsa gjatë ditës janë paralajmëruar edhe protesta kundër këtij vendimi.

Nga institucionet kanë deklaruar kohë pas kohe se nuk është faji i tyre për shtrenjtimin e rrymës, por se kjo është duke ndodhur në shumë vende të botës e po reflektohet edhe në Kosovë.

Por, kryeministri nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fushatës të tij në vitin 2019 kishte deklaruar se çmimi i rrymës nuk do të rritej, përkundrazi ai kishte thënë se çmimet do të ulen dhe kishte premtuar se pagesën e energjisë elektrike do ta bëjnë njëjtë si qytetarët e tjerë edhe banorët në veri të Kosovës.

“Unë nuk mund ta them sot se sa do të ulet energjia elektrike por e di që Contour Global-i nuk vjen në shprehje më, ajo do të na e shtrenjtonte energjinë elektrike dhe ne nuk paguajmë me buxhetin e Kosovës për ata që s’e paguajnë energjinë elektrike, qofshin në veri ose gjetiu. Nuk mund ta kuantifikoj sot, por ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike sepse është tepër shtrenjtë, kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi, shumë kemi kapacitet”, kishte deklaruar Kurti më 26 shtator të vitit 2019.

Edhe pse premtimet e të parit të Qeverisë nuk janë duke u përmbushur, Ministria e Ekonomisë sot ka njoftuar se ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset.

“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja të energjisë elektrike, nëse miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti 2022 dhe do të kenë vlerë deri më 31 mars 2023. /gazerametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë