Sulmuesi senegalez, Sadio Mane, tashmë është lojtari më i ri i Bayern Munich dhe pas gjashtë vitesh të mrekullueshme largohet nga Liverpool. Ai në videon përshëndetëse me klubin ka thënë se tani do të ju duket e çuditshme që nuk do të jetë më lojtar i ‘The Reds’, transmeton Gazeta Metro.
Në videon e përshëndetjes me nën kampionët e Europës, reprezentuesi senegalez është shprehur se ka kaluar kohë fantastike dhe që nga viti 2016 kur ishte transferuar nga Southampton ka shijuar çdo moment.
”Është e çuditshme, vërtet e çuditshme të mos jem më lojtar i Liverpoolit. Kam kaluar kohë fantastike dhe që nga dita e parë e kam shijuar çdo gjë. Ne nuk ishim as në Ligën e Kampionëve kur erdha por thosha se do fitojmë shumë,” tha ai për LFC TV.
Ndër të tjera 30-vjeçari tregon se momenti i tij i preferuar gjatë këtyre viteve kishte qenë fitorja kundër Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat 4-0. Ndërkaq, nuk harron pa përmendur edhe golin më të preferuar të tij.
”Kam arritur diçka të pabesueshme te ky klub dhe jam mirënjohës për mundësinë. Momenti im i preferuar është fitorja 4-0 ndaj Barcelonës në vitin 2019, ndërsa goli im i preferuar duhet të jetë në debutim ndaj Arsenal, kurse i dyti i preferuari ndaj Bayern. Më fal Bayern,” deklaroi ai.
Ai largohet nga ‘Anfield Road’ pasi fitoi Ligën e Kampionëve, Premier League, Botërorin e Klubeve, Superkupën e Europës, FA Cup dhe Carabao Cup.
Nga 269 paraqitjet e tij për nën kampionët e Europës, Mane shënoi 120 gola dhe regjistroi 28 asistime në të gjitha garat.
KËTU mund të shikoni intervistën e tij të plotë. /gazetametro.net