Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan Gazeta Metro.
Në këtë takim, siç ka njoftuar Konjufca, është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon.
Po ashtu, ata kanë diskutuar edhe për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit.
Konjufca, në postimin e tij ka deklaruar se në takim është ritheksuar qëndrimi i shtetit të Kosovës, por edhe garantimi i Departamentit të Shtetit se nuk mund të formohet kurrfarë asociacionit që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Postimi i plotë:
Sot, në kuadër të vizitës sime zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, takova Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar.
Në takimin përmbajtësor me z.Escobar diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /gazetametro.net