Loading…

Erzen Shkololli, me ritualin e dasmës rome në ekspozitën “The Hierophant” në Bukuresht

  • 29/06/2017 | 16:23

Erzen Shkololli, me ritualin e dasmës rome në ekspozitën “The Hierophant” në Bukuresht

Duke luajtur rolin e një etnografi, ai prezanton pamje nga një ritual dasmor rom që ndodhë afër shtëpisë së tij në Pejë.

Kanagjegji – ose nata e grave, dhe Nata e Konës – nata kur vajza e martuar qan, ndodhin aty. Videoja shumë private përshkohet nga vajtimi, toni gati si elegji. Të gjitha shoqet dhe kushërinjtë – nga mbesa më e vogël te stërgjyshja tepër e moshuar- janë mbledhur në shtëpinë e asaj që po martohet.

Erzen Shkololli, artist dhe kurator, ka zgjedhur këto pamje për ekspozitën kolektive “The Hierophant”, e cila është hapur me 17 qershor në Bukuresht të Rumanisë, shkruan KultPlus.

“Kanagjeci” është titulli i videos së Erzen Shkolollit, e cila në anglisht mund të përkthehet Nata e vajzërisë apo Nata e Konës. Është një ritual që zhvillohet natën përpara martesës.

Ndërkohë që dhuratat e nuses si sixhade, qilima, nënkrejse dërgohen në shtëpinë e burrit të ardhshëm, kushërinjtë dhe shoqet mblidhen në shtëpinë e nuses për të kërcyer dhe kënduar këngë të improvizuara. Nusja vajton sepse si grua e martuar asaj do t’i duhet të lerë shtëpinë e saj, prindërit dhe të afërmit dhe të shkojë në shtëpinë e të shoqit dhe të familjes së tij, shkruan teksti nga Joa Ljungberg për punën e Shkolollit.

Shkololli ka përdorur materialin e papërpunuar që gjeti në arkivin vetjak të një kameramani amator, i cili shpesh kundrejt pagesës regjistron festa, ndër to, edhe martesa. Ajo çka shohim është një dokument i gatshëm, i prodhuar njëherë, i marrë nga mjedisi që rrethon artistin e që i paraqitet shikuesit pa asnjë tekst shpjegues apo analizë etnografike. Si i tillë, “Kanagjeci” jo vetëm ofron një shembull të mirë të interesit të Erzen Shkolollit në tradita dhe zakone të larmishme kulturore dhe fetare që praktikohen dhe bashkëjetojnë krahas njëra-tjetrës, me sa duket, duke shpërfillur edhe periudhat e ndryshimeve politike dhe ekonomike.

Duke sfiduar gjithashtu “vështrimin etnografik të perëndimorit”, ashtu siç e ka theksuar Branislava Anxhelkoviç “duke e kthyer mitin estetik në një dramë të gjallë të pushtetit seksual dhe shtypjes”, shkruan KultPlus.

Shkololli është një nga artistët në ekspozitën kolektive ku marrin pjesë edhe emrat Marina Abramovic, William Anastasi, Yuri Ancarani, Isis Aquarian, Lina Bertucci, Mike Bouchet, James Lee Byars, Michael Carter, Carlos Castaneda, Martin Creed, John Koenig, Joachim Koester, Lazaros, Kris Lemsalu, Jean Mamy, Andrei Marina, Eva & Franco Mattes, Allen Midgette, Real Subliminal, Alexander Reben, John-Roger Hinkins, Serban Savu, Max Hooper Schneider dhe artistë tjerë.

Erzen Shkololli është artist dhe kurator. Drejtor i Fondacionit “Unë e du Kosovën” në Prishtinë, Kosovë. Gjithashtu, këshilltar kuratorial për documenta 14.

Ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri më 2015. Në vitin 2013, Shkololli ishte komisioner i prezantimit të parë të Republikës së Kosovës në edicionin e 55-të të Bienales së Venecias. Nga viti 2003 deri më 2007 mbajti pozitën e drejtorit artistik në Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë, një iniciativë e shkëmbimit në Kosovë, e cila e transformoi skenën kulturore vendase.
Praktika e tij artistike përdor ritualet dhe folklorin vendas për të tërhequr vëmendjen te situata specifike socio-politike dhe është ekspozuar ndërkombëtarisht në muze, siç janë Van Abbemuseum, Eindhoven; Centre Pompidou, Paris, dhe Fridericianum, Kassel.
Shkololli organizoi Ekspozitën e Kontakt Art, të titulluar “Thirty One” (Tridhjetë e një) dhe kuruar nga Hans Ulrich Obrist e Petrit Halilaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës (2015). Ishte kurator i “Thirty Years After: Šejla Kamerić” (2015), “Sokol Beqiri: Retrospektivë” (2014), “Simon Shiroka: Retrospektivë” në Galerinë Kombëtare në Tiranë (2014) dhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës (2013); bashkëkurator i ekspozitës “Engjëll Berisha – Befre: Retrospektivë” (2013) dhe “Grafika” nga koleksioni i GKK-së (2013).

Nga viti 2008 deri më 2009 ishte përfitues i Bursës së DAAD-së për Artistët në Rezidencë. Nga viti 2003 është anëtar i Parlamentit Europian të Kulturës. Jeton dhe punon në Prishtinë.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë