Loading…

Ëndërr e rremë manekinësh

  • Nga

  • SHKëLZEN MALIQI

  • 01/09/2026 | 17:05

Ëndërr e rremë manekinësh

Burim Myftiu, Kutija e kujtesës, ekspozitë e fotografive, Galeria e Fakultetit të Arteve, Prishtinë, 2 shtator 2026


Në dramën “As you like it” Shekspiri e ka një sentencë të famshme “E gjithë bota është skenë (teatri), dhe të gjithë burrat e gratë thjesht janë aktorë.”  Te kjo ekspozitë e Burim Myftiut metafora e Shekspirit sikur lëviz me tutje, bëhet metaforë e metaforës që na thotë: “E gjithë bota është skenë e mbushur me manikinë që aktrojnë gratë e burat që ëndërrojnë jetën e premtuar më të bukur”.

“Kutija e kujtesës” është përplotë me portrete manekinës, kukullave që i shohim përditë në vitrinat e dyqaneve, të veshura bukur, sipas shijes dhe modave mbizotëruese. Burimi i ka fotografuar prej kohësh, edhe atëherë kur ato kanë pas fytyra me karakter, si yjet e filmave dhe të muzikës, dhe jo siç janë sot zakonisht të pa kokë…

Te ne në Kosovë ende mund të shihen manekinët të renditur në mënyrë groteske para dyqaneve ku shiten fustanet dhe kostumet. Myftiu, si mjeshtër i portreteve, ndër më të mirët, e ka hetuar se edhe këta manekinë me bukuri holivudiane, kanë fate dhe disfate “jetësore”. Edhe pse kanë rol prej statisti, figuranti që s’lëviz, entropia e përgjithshme i prek edhe ato në “karakter” dhe në dukje, madje ua dëmton edhe rolin që e kanë, të simulojnë veshjen, pamjen dhe grimin e një jete të zbukuruar, që përmbledhtazi mund ta quhet ëndërr holivudiane.

Fotografitë e Myftiut zbardhin një realitet dhe të vërtetën trishtuese mbi përkohshmërinë e ëndrrave të shpifura të kësaj bote, të asaj që edhe në traditën tone të puqjeve me kulturën dhe mendësinë orientale, është quajtur “jallan dynja”, si një ndjesi universale që e kanë edhe kulturat tjera, ku neve si gjallesa dinjitoze na shtrohet detyrimi ta gjejmë udhën e evitimit të mashtrimit, të mos u nënshtrohem tregëtarëve dhe politikanëve që njerëzit i trajtojnë si kukulla me role të paracaktuara në teatrin e botës.

Arti ndoshta nuk është mjet i vetëm dhe i mjaftueshëm që na shpëton nga mashtrimi, por të paktën na tregon dhe e demaskon atë.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë