Organizata mjekësore bamirëse “Médecins Sans Frontières” ka ngritur alarmin për një përhapje të shpejtë të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, duke e cilësuar situatën si “thellësisht alarmante”, transmeton Gazeta Metro.
Dy javë pas shpalljes së shpërthimit, zëvendësdrejtori i organizatës, Dr. Alan Gonzales, ka thënë se ritmi i infektimit është i pazakontë dhe shqetësues. “Kurrë më parë nuk ishin regjistruar kaq shumë raste në një kohë kaq të shkurtër pas një shpërthimi”, ka deklaruar ai.
Sipas të dhënave të fundit, në vend janë raportuar mbi 1,000 raste të dyshuara dhe të paktën 246 viktima, ndërsa autoritetet shëndetësore po përballen me vështirësi në verifikimin e plotë të situatës.
Shqetësimi është rritur edhe në rajon, pasi Uganda fqinje ka konfirmuar nëntë raste dhe një vdekje, duke ngritur frikën për përhapje më të gjerë të virusit.
Gonzales ka theksuar se ekipet mjekësore po punojnë në terren, por mungesa e testeve dhe vështirësitë logjistike po e bëjnë situatën edhe më të komplikuar.
“Realiteti sot është se askush nuk e di shkallën dhe ashpërsinë e vërtetë të këtij shpërthimi. Raste të reja të dyshuara raportohen çdo ditë, megjithatë qindra mostra mbeten të patestuara”, ka thënë ai.
Sipas tij, reagimi humanitar po ngadalësohet edhe për shkak të kufizimeve në lëvizje, përfshirë mbylljen e kufijve dhe aeroporteve, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se konflikti i vazhdueshëm në RD të Kongos po e vështirëson edhe më shumë kontrollin e shpërthimit./gazetametro.net