Një person ka humbur jetën gjatë një atentati me armë zjarri në Vlorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës rreth orës 18:00 në afërsi të portit.
Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar 4 herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të një automjeti. Mësohet se automjeti mbi të cilin është qëlluar me armë zjarri është me targa AA 606 LD, ndërsa i vrarë ka mbetur shtetasi me iniciale R. Tore.
Ora News informon se makina ishte e parkuar dhe 32-vjeçari ndodhej brenda mjetit. Ai do të zbriste për të takuar disa persona. Ndërkohë janë shoqëruar disa persona dhe po pyeten në lidhje me ngjarjen.
Policia sqaron se: Rreth orës 17:57, në vendin e quajtur “Ish-Parku i Tregëtisë”, në rrugën e kësaj zone është qëlluar me armë zjarri një shtetas, i cili për shkak të plagëve në trup ka ndërruar jetë rrugës drejt Spitalit Rajonal. Policia ka identifikuar viktimën me gjeneralitetet R.T., 32 vjeç, banues në Vlorë. Dyshohet se autori pasi ka kryer krimin është larguar me shpejtësi me një automjet, për të cilin po punohet për zbulimin e tij.
Policia ka ngritur pika kontrolli në rrugët dalëse dhe hyrëse të qytetit të Vlorës me qëllim kapjen e autorit.
Ndërkohë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.