Filiali i bankës “BKT” tek Rruga “B” në Prishtinë është grabitur nga disa persona në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, shkruan Gazeta Metro.
Plaçkitësit kanë demoluar të gjithë bankën ku ishin të pajisur me armë të rënda dhe kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash.
Ndërkohë që gjatë grabitjes kishte edhe gjuajte me armë në drejtim të një veture.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka treguar se gjatë grabitjes është përdorur edhe eksploziv.
Ndërsa gjatë ikjes ata kanë shtënë me armë në drejtim të një roje.
“Sot rreth orës 05:30, kemi pranuar informatën për një shpërthim në rrugën “B” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore. Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor, dyshohet se një grabitje është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes (eksploziv), nga disa persona të dyshuar të cilët në ikje e sipër kanë shtënë edhe me armë zjarri në drejtim të një personi (roje). Nuk raportohet për persona të lënduar”, ka treguar Ahmeti.//gazetametro.net