Në emisionin EURO n’7 në T7, u diskutua qeverisja dy vjeçare e kryeministrit Albin Kurti. Profesorë universitar dhe ekspertë të ekonomisë thonë se në horizont nuk po shihet asnjë lëvizje apo reformë e cila do të ndikonte në rritjen ekonomike.
Sipas tyre, pika më e dobët e kësaj qeverie është ekonomia. Ata thonë se opozita duhet që të merret kryesisht me këtë temë e jo me tema të dialogut.
Profesori Florin Aliu thotë se rritja e deritanishme ekonomike nuk e ul papunësinë.
“Rrritja ekonomike duhet të jetë mbi 7% që të shihet ndikimi në uljen e papunësisë.”
Sipas tij, duhen urgjentisht reforma në ekonomi, që qeveria të ofroj profesionistë për bashkëpunim, të hiqet nga agjenda Fondi Sovran e Banka Zhvillimore.
Ai po ashtu, duke iu referuar aseteve publike, ka thënë se duhet të shiten “rrangallat e Jugosallavisë” që nuk shërbejnë asgjë, ngase, sipas tij, nuk duhet të jetë qëllim i qeverisë që të menaxhojë biznese.
Në anën tjetër, sipas profesor Ujkan Bajra, opozita po tregohet e dobët karshi debatit me qeverinë dhe se nuk po shihen alternativa.
“Në horizont nuk duket asgjë që është duke u ndërmarr që do të prodhonte një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik me tendencë të rritjes dhe në mungesë të politikave zhvillomore kemi këtë gjendje”, ka thënë mes tjerash profesor Bajra.
Premtimet e qeverisë sipas tyre në këto vjet më shumë mbetën vetëm dëshira futuristike sesa projekte që mund të realizohen.