Loading…

Edi Rama emëron katër ministrat e rinj

  • 13/03/2017 | 13:17

Edi Rama emëron katër ministrat e rinj

Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste të hënën, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Fatmir Xhafa, Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu dhe Eduard Shalsi do t’i bashkohen kabinetit të tij si ministra.

Njoftimi i Ramës erdhi pas shkundjes së kabinetit të tij qeveritar gjatë fundjavës me largimin e ministrit të Brendshëm, të Shëndetësisë, të Mirëqenies Sociale dhe i Çështjeve Vendore.

Sipas kryeministrit, ndryshimet në qeveri po kryhen për shkak se katër ministrat e larguar do të angazhohen në zona të ndryshme të Shqipërisë për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Fatmir Xhafa pritet të zëvendësojë Saimit Tahirin si ministër i Brendshëm, Olta Xhaçka do të zëvendësoje Blendi Klosin si ministër të Mirëqënies Sociale, Manastirliu do të zëvëndësojë Ilir Beqajn si ministër Shëndetësie dhe Eduard Shalsi do të vijë në krye të ministrisë së Çështjeve Vendore në vend të Bledi Çucit.

Tre nga ministrat e rinjë të propozuar, Xhafa, Xhaçka dhe Shalsi, janë aktualisht deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa Ogerta Manastirliu është drejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “ Nënë Tereza” në Tiranë.

Fatmir Xhafa ka një karrierë të gjatë politike dhe aktualisht është i angazhuar si kreu i Komisionit të Ligjeve në parlamentin shqiptar. Gjatë dy viteve të fundit ai ka luajtur një rol kyç në formëzimin e reformës në drejtësi si kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Xhafaj mban postin e Sekretarit për Çështjet e Koordinimit në Partinë Socialiste, dhe më parë ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, dhe Ministër i Drejtësisë.

Olta Xhaçka ësahtë zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në dy legjislatura dhe është anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në parlament. Përpara angazhimit në politikë ajo ka qenë aktive në shoqërinë civile si pjesë e Lëvizjes Mjaft.

Eduard Shalsi e ka filluar karrierën e tij si bankier përpara se të drejtonte në vitet 2003-2004, kompaninë në atë kohe publike të sigurimeve INSIG. Sa i përket karrierës politike, ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, në vitet 2004-2008. Në vitet 2008-2009 ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Aktualisht ai është Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit dhe deputet i Partisë Socialiste.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë