Njohësi i proceseve evropiane, profesori Vigan Qorrolli ka thënë se është vështirë që këtë vit të ketë liberalizim të vizave edhe nëse kalon demarkacioni me Malin e Zi.
“Vazhdojë t’i qëndrojë besnik idesë që edhe në rast të kalimit të demarkacionit në Kuvend, liberalizimi i vizave nuk do të ndodh në vitin 2017. Kjo për dy arsye: E para , është vit zgjedhor në dy shtetet kryesore – emblemë të vendimmarrjes në BE. Franca i mban zgjedhjet presidenciale më 23 prill, kurse Gjermania më 24 shtator. E dyta, Franca është skeptikja numër një e udhëtimit të lirshëm të kosovarëve drejt ‘Schengenit’. Kosova është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Francë nga i gjithë kontinenti evropian. Paramendojeni për një çast Marine Le Pen – presidente të Francës? Vizat në “knockdown’”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” Qorrolli.
Ai ka shtuar se Kosova dhe Mali i zi deri në vjeshtë të këtij viti mund ta zgjidhin problemin e kufirit me arbitrazh. “Jurisdiksioni në Gjykatën Permanente të Arbitrazhit në Hagë është fare i kollajshëm. Tre ose pesë arbitra të huaj të zgjedhur nga palët t’i përgjigjen vetëm tri pyetjeve nga e drejta ndërkombëtare për sa i takon kufijve shtetëror dhe gjithçka do të shkojë për së mbari”, ka deklaruar Qorrolli. /gazetametro.net