Loading…

Edhe Erdogan i kërkon konstruktivitet Kurtit: Thotë se e mbështesin dialogun Kosovë – Serbi

  • 03/02/2023 | 19:50

Edhe Erdogan i kërkon konstruktivitet Kurtit: Thotë se e mbështesin dialogun Kosovë – Serbi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti që sot po qëndron në Turqi, është pritur nga i pari i këtij shteti, Redzep Taip Erdogan, ata folën për tema të ndryshme, por nuk mbeti pa u diskutuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, presidenti turk i kërkoi Kurtit konstruktivitet në këtë proces.


Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast presidenti turk ka thënë se e mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe se pret që palët të tregojnë një qasje konstruktive.

“Ne i kushtojmë rëndësi madhorë zhvillimit të marrëdhënieve fqinjësore të Kosovës. Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të demonstrojmë një qasje paqësore dhe konstruktive”.

“Shpresojmë që dialogu të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Turqia është e gatshme që të ofrojë çdo ndihmë në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kjo kërkohet nga palët”.

“Do të vazhdojmë të ndërmarrin hapa për të fortifikuar marrëdhëniet vëllazërore me një Kosovë të begatshme e cila do të ishte garanci e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”.

Kurti e ka falënderuar presidentin turk për përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës.

“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes, për zhvillimet në rajon e më gjerë. Jemi mirënjohës për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999 për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës, për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve, shpalljen dhe njohjen e pavarësisë, dhe mbështetjen e plotë të pakursyer në politikën e jashtme. E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme në anëtarësim në NATO dhe në Këshill të Evropës”

“Në NATO na bashkon orientimi, në Këshill të Evropës vlerat, në të dyjat na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës. Një nga synimet tona si Republikë e Kosovës është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitor të huaj  në mënyrë që të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme”, tha Kurti.

Kurti ka deklaruar se “në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.

“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe për popullin tonë. Për ne Samiu është ndër etërit e rilindjes sonë kombëtare, për popullin turk ai konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, aty ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se pikërisht në Stamboll sot është diskutuar për “raportet miqësore që kemi dhe si mund t’i thellojmë e forcojmë me vullnetin e dyanshëm”.

“Turqia është ndër partneret tona kryesore ekonomike e tregtare, na gëzon kjo, por nuk duhet të na mjafton. Ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për të arritur potencialin e madh të tij”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë