Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi pas takimit të kryesisë së partisë, duke e cilësuar gjendjen aktuale politike dhe institucionale si të pazakontë për vendin, transmeton Gazeta Metro.
Në deklarimin e saj, Çitaku ka ngritur akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se ai ka shkelur Kushtetutën në mënyrë të përsëritur.
“Po besoj që tashmë e keni pranuar komunikatën për shtyp nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Kosova është në një terren tërësisht të pashkelur më parë. Askush nuk do të kishte imagjinuar që në vitin 2026, me një lehtësi të padurueshme, njeriu që ka marrë një numër të jashtëzakonshëm të votave në Kosovë, e shkel Kushtetutën e këtë jo një herë, po në mënyrë serike disa herë”, deklaroi Çitaku.
Ajo paralajmëroi se subjekti opozitar do ta shtojë angazhimin e tij në ditët në vijim dhe do të shfrytëzojë forma të ndryshme të reagimit politik e qytetar.
“Ne do të intensifikojmë aktivitetet tona, do të përdorim çdo mjet demokratik, qytetar, politik e publik për të kthyer Kosovën në binarë të drejtë. Ky vend, kjo Republikë, kjo Kushtetutë është miratuar me shumë mund, me shumë gjak, me shumë sakrificë dhe ne nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet”, theksoi Çitaku./gazetametro.net