Një operacion policor i zhvilluar në zonën e Maliqit ka përfunduar tragjikisht, pasi një efektiv i Policisë së Shtetit humbi jetën, ndërsa një koleg i tij mbeti i lënduar gjatë tentativës për kapjen e një personi të shpallur në kërkim, transmeton Gazeta Metro.
Viktima është identifikuar si Enea Mekolli, pjesëtar i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Ai u qëllua për vdekje gjatë ndërhyrjes për arrestimin e Violand Braçellarit, i cili ishte në kërkim dhe ishte dënuar në mungesë me afro dhjetë vjet burgim.
Gjatë përplasjes së armatosur u plagos edhe efektivi Edison Adri, i cili sipas autoriteteve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia e Korçës, e cila ka dhënë detaje për operacionin e zhvilluar në orët e mëngjesit.
“Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas sulmit ndaj zyrtarëve policorë, njësitë e angazhuara në aksion kanë reaguar me armë zjarri për të ndalur të dyshuarin. Nga shkëmbimi i të shtënave është plagosur edhe Braçellari, i cili më pas është vënë në pranga nga autoritetet./gazetametro.net
Tragjedi në Shqipëri: Vritet një polic gjatë detyrës, plagoset një tjetër