Loading…

E pranuan fajësinë, por u bën pishman

  • 23/04/2017 | 10:43

E pranuan fajësinë, por u bën pishman

Ndonëse në shqyrtimin e parë e kishin pranuar fajësinë, vëllezërit Samir e Bilall Shkodra tash u deklaruan të pafajshëm. Ata thonë madje se janë viktima në këtë rast.


Samir dhe Bilall Shkodra, të akuzuar për pjesëmarrja në rrahje, në shqyrtimin e dytë gjyqësor kërkuan që edhe njëherë të deklarohen në lidhje me fajësinë.

Vëllezërit Shkodra thanë se në seancën e shqyrtimit fillestar ata e kishin pranuar fajësinë për shkak se nuk e kishin kuptuar drejt përmbajtjen e aktakuzës. Ndërsa tani para gjykatës ata u deklaruan të pafajshëm, duke thënë se madje janë viktima në këtë rast.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të gjithë të akuzuarit i kërkuan kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra që ta hidhte aktakuzën, meqë sipas tyre mungojnë provat.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurorja e rastit, Ferdane Sylejmani, e cila i tha gjyqtarit se aktakuza është e ngritur dhe e mbështetur në prova dhe në fakte me të cilat do të vërtetohet fajësia dhe veprimet e të gjithë të akuzuarve për veprat penale për të cilat akuzohen.

Florent Krasniqi e Kushtrim Krasniqi, Lavdim Raqi dhe Samir e Bilall Shkodra janë të akuzuar për përleshjen mes dy grupeve në kryeqytet më 17 tetor 2016.

Gjatë shqyrtimit fillestar gjyqësor Florent e Kushtrim Krasniqi dhe Lavdim Raqi ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa Samir dhe Bilall Shkodra e kishin pranuar fajësinë duke deklaruar se kishin qenë pjesë e përleshjes.

Gjatë kësaj seance avokati i të akuzuarit Florent Krasniqi, Isa Salihi, i kërkoi gjyqtarit Kalludra që edhe njëherë ta vlerësojë çështjen e masës së paraburgimit kundër të mbrojturit të tij meqenëse familja e të akuzuarit me familjen e të dëmtuarit kanë arritur pajtim sipas zakoneve, duke konsideruar se tanimë kanë pushuar të gjitha shkaqet ligjore për të cilat Florentit i është caktuar dhe vazhduar kjo masë e paraburgimit.

Ai i propozoi Gjykatës që në rastin më të pafavorshëm atij t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Përkundër këtij propozimi, kryetari i trupit gjykues mori aktvendim që të vazhdohet masa e paraburgimit kundër të akuzuarit Florent Krasniqi.

Gjyqtari e mori këtë aktvendim me arsyetimin se çështja e masës së sigurisë do të vlerësohet edhe njëherë jashtë seancës së shqyrtimit gjyqësor dhe seanca e radhës do të caktohet pas shqyrtimit të çështjes në lidhje me masën e paraburgimit, ku palët do të njoftohen me kohë.

Në bazë të aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme që kishin pasur, të akuzuarit Florent e Kushtrim Krasniqi si dhe Gëzim Krasniqi në njërën anë dhe Bilall e Samir Shkodra, Lavdim Raqi si dhe i mituri Jetlir Shkodra në anën tjetër, kishin filluar të rraheshin mes vete.

I pranishëm gjatë kësaj rrahjeje ishte edhe i dëmtuari Meriton Mehana, të cilin sipas aktakuzës Florent Krasniqi e kishte goditur disa herë me thikë në pjesën e abdomenit dhe gjoksit, në kokë dhe në pjesë tjera të trupit.

Si pasojë e gjithë kësaj, i dëmtuari Mehana ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Florent Krasniqi akuzohet për vrasje në tentativë, ndërkaq të akuzuarit Kushtrim Krasniqi, Lavdim Raqi, Samir dhe Bilall Shkodra, ngarkohen për pjesëmarrja në rrahje.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë