Një emision i para tre jave në Televizionin Tribuna Channel, ku i ftuar ishte kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, është bërë shkas që gazetari Milaim Zeka të bëj një ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) ndaj autorit të emisionit, Dardan Gashi.
Sipas letrës që KPM ka pranuar më 12 janar, 2017, gazetari Zeka pretendon se në emisionin “Republika” të Dardan Gashit, ku i ftuar ishte Lladrovci, i janë shkaktuar dëme të pariparueshme për shkak të fyerjeve dhe shpifjeve ndaj tij, shkruan Periskopi.
Ishte ky emision ku Zeka u quajt “gazetaruc” dhe spiun nga Lladrovci, pas garës në zgjedhjet komunale në Drenas, të cilën ai e fitoi me balotazh.
Zeka ka kërkuar nga KPM që të përmirësohen shprehjet shpifëse apo fyese nga publikuesi’ Tribuna Channel’ me arsyen se e dëmtojnë rëndë dinjtetin dhe reputacionin e tij.
Periskopi ka siguruar shkresën që KPM ia ka dërguar pronares së Tribuna Channel Besiana Hoti, përmes të cilës kërkohet nga televizioni që të ofrohet një sqarim për këtë ankesë brenda pesë ditëve.
Debati i ashpër Lladrovci-Zeka filloi kur ky i fundit i doli në përkrahje kandidatit të Nismës, Isa Xhemajlaj në garën zgjedhore për Drenasit. Gjatë kësaj kohe pati akuza e kundërakuza të panumërta mes këtyre dyve. /Periskopi