Lulzim Krasniqi, konsull në ambasadën e Kosovës në New York, është larguar nga puna si diplomat i Kosovës, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ai ka thënë se vendimin se është larguar nga puna me 30 qershor 2022 e ka marrë sot.
Në letrën që i ka dërguar ministres Donika Gërvalla, ai ka thënë se vendimi është i paprecedent, arbitrar dhe pa paralajmërim, derisa thotë se shkel të gjitha të drejtat e një diplomati dhe e vërteton qasjen tuaj në përndjekjen e diplomatëve, të cilët kanë ndihmuar në forcimin e shtetit të Kosovës.
Krasniqi po ashtu shton se largimi i tij nga shërbimi i jashtëm bazohet në urrejtje dhe paranoja të Gërvallës.
“Me të njëjtën urrejtje, gjatë vizitës suaj në Nju-Jork, në prill të këtij viti, ju keni urdhëruar largimin e flamurit të UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Pavarësisht kësaj, atë flamur të shenjtë e kam vendosur në zyrën time gjatë gjithë kohës.
Me largimin tim, ju mund ta largoni atë edhe nga zyra ime, por krenarinë dhe luftën e UÇK-së nuk do të mund ta largoni asnjëherë nga institucionet e Kosovës, meqë UÇK-ja është vetë themeli i këtyre institucioneve.
E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Krasniqi bën të ditur se për vendimin do të ankohet në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës e më pas edhe në gjykatë, ku thotë se ministrja do ta humb betejën me të.
Letra e tij e plotë:
E nderuar znj. Gërvalla,
Sot pranova një e-mail nga Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i MPJD-së, z. Behar Isma, përmes së cilit më është bërë e ditur se marrëdhënia ime e punës me MPJD-në ka mbaruar më 30 qershor 2022.
Faleminderit për sqarimin, edhe pse do të ishte mirë sikur këtë të ma kishit bërë të ditur ditën kur e pranova vendimin (më 30 qershor), meqë obligimet e shumta që kam këtu, nuk përmbyllen kaq thjesht, siç mendoni ju.
Vendimi juaj është i paprecedent përgjatë funksionimit të deritashëm të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha është kundërligjor! Me këtë vendim, ju sapo mbyllët të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për shtetasit e Republikës së Kosovës-këto ditë kur kërkesat e tyre për shërbime arrijnë kulmin. Rrjedhimisht, meqë kam qenë i vetmi person i autorizuar për ofrimin e shërbimeve, me këtë vendim, duke filluar prej sot, u mbyllën të gjitha llogaritë për përdorimin e aplikimit të dokumenteve të udhëtimit. Bashkë me këto llogari, fatkeqësisht, u mbyll çdo shërbim konsullor. Përgjegjësinë për këtë tashmë e keni ju!
Me këtë vendim arbitrar dhe pa paralajmërim, Republika e Kosovës do të ketë edhe implikime financiare. Unë kam lidhur kontratë njëvjeçare me menaxhmentin e ndërtesës ku jetoj me qira, në nëntor të vitit të kaluar, gjithnjë me aprovimin e Sekretarit të Përgjithshëm, për çka Republika e Kosovës e ka për obligim ta respektojë këtë kontratë-të paguajë qiranë deri atëherë në një banesë ku nuk jeton asnjeri. Në të kundërtën, mosrespektimi i saj është i dënueshëm sipas ligjeve të SHBA-së.
Vendimi arbitrar për kthim të menjëhershëm shkel të gjitha të drejtat e një diplomati dhe e vërteton qasjen tuaj në përndjekjen e diplomatëve, të cilët kanë ndihmuar në forcimin e shtetit të Kosovës.
Kam qenë diplomati i vetëm në MPJD dhe në Shërbimin Diplomatik që zotëron nivelin më të lartë të spanjishtes (C2) dhe i cili ka njohuri dhe lidhje me Amerikën Latine dhe Spanjën.
Gjatë kësaj periudhe, si diplomat i karrierës, të gjitha autoriteteve të larta të Republikës së Kosovës dhe kushdo të ketë qenë President, Kryeministër ose Ministër i Jashtëm u kam ndihmuar në thellimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve me këto vende, posaçërisht në realizimin e një sërë intervistash me gazetat më prestigjioze të Spanjës.
Vendimi juaj për heqjen time nga Shërbimi i Jashtëm bazohet në urrejtje dhe në paranoja.
Me të njëjtën urrejtje, gjatë vizitës suaj në Nju-Jork, në prill të këtij viti, ju keni urdhëruar largimin e flamurit të UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Pavarësisht kësaj, atë flamur të shenjtë e kam vendosur në zyrën time gjatë gjithë kohës.
Me largimin tim, ju mund ta largoni atë edhe nga zyra ime, por krenarinë dhe luftën e UÇK-së nuk do të mund ta largoni asnjëherë nga institucionet e Kosovës, meqë UÇK-ja është vetë themeli i këtyre institucioneve.
E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD.
Në emër të këtij flamuri janë flijuar shumë dëshmorë, ndër ta edhe vëllezërit Bytyqi nga SHBA-ja, të cilët, bashkë me shumë luftëtarë të Batalionit Atlantiku, kanë lënë mirëqenien që u ofronte ky vend dhe kanë shkuar në Kosovë për ta çliruar atë nga shtypja, diskriminimi dhe gjenocidi që regjimi serb po i ushtronte ndaj nesh.
Largimi i këtij flamuri është fyerje e tre varreve të vëllezërve Bytyqi në Jonkers të Nju-Jorkjut dhe përbuzje për luftëtarët e Batalionit Atlantiku, njëjtë siç është fyerje për të gjithë luftëtarët dhe dëshmorët e vendit.
Unë, sigurisht jam i zëvendësueshëm me njerëz të tjerë të rinj dhe entuziastë, porse flamurin e UÇK-së nuk mund ta zëvendësojë askush.
Me këtë rast, kundër vendimit tuaj arbitrar e tendencioz do të ankohem në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, derisa betejën legale e ke të humbur, aty ose në gjykatë, i cili institucion, bashkë me institucionet tjera të vendit, janë krijuar me mund e me sakrificë.
Personalisht, jam krenar për punën që kam bërë në SHBA, më herët edhe në Panama dhe në MPJD, dhe jam i lumtur që kam krijuar raporte të shkëlqyeshme me komunitetin tonë këtu, i cili nuk njeh urrejtje ndaj njëri-tjetrit e as ndarje partiake, por i cili ka qenë dhe është i përbashkuar, gjithnjë në interes të Kosovës.
Me respekt, Lulzim Osman Krasniqi
Counsellor
Consulate General of the Republic of Kosovo in New York
801 Second Avenue.