Loading…

Dy vjet më parë Tribunali ia preu Hashim Thaçit rrugën për në Washington

  • 24/06/2022 | 18:02

Dy vjet më parë Tribunali ia preu Hashim Thaçit rrugën për në Washington

Dy vjet më parë, papritmas Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë doli me njoftim se para pak muajsh i kishte ngritur aktakuzë ish-Presidentit Hashim Thaçi. Ky njoftim e zuri Thaçin në gjysmë të rrugës për në SHBA. Kreu i shtetit nuk hyri si i pandehur në Shtëpinë e Bardhë. Vendosi të kthehej mbrapsht. Rrugën tjetër që e mori ishte për në Hagë, i arrestuar.


Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte qëlluar ditën e lindjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, për të ngritur aktakuzën ndaj tij. Por kjo s’u bë publike menjëherë atë ditë, më 24 prill të vitit 2020.

Njoftimin se kreu i shtetit të Republikës po akuzohej për krime lufte sa ishte udhëheqës i UCK-së, ZPS-ja e bëri publik vetëm më 24 qershor. Si sot, para dy vjetësh, Presidenti Thaçi kishte planifikuar vizitë në Uashington. Ai u kthye në gjysmë të rrugës, pasi tanimë ishte publikisht i akuzuar.

Në një komunikatë të dërguar mediave, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendonte se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Atëkohë, SHBA-ja po tentonte të lëvizte diçka në dialogun e bllokuar mes Kosovës dhe Serbisë dhe ish-presidenti amerikan Donald Trump e kishte aktivizuar Richard Grenellin si emisar special.

Kishte spekulime që thonin se Gjykata Speciale e nxori papritmas njoftimin për aktakuzën e ngritur dy muaj më parë, për të ndërhyrë në aktivitetin politik të Presidentit Thaci. Sikur ta dinte për hipotezat që do të ngriheshin, ZPS-ja e arsyetonte publikimin e njoftimit pikërisht në atë kohë.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhej aty.

Thaçi kishte vendosur të mos shkonte në SHBA, si i akuzuar. Për këtë njoftonte Grenell.

“Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutimet, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Tëitter më 24 qershor.

Ish-presidenti qëndroi në krye të shtetit edhe disa muaj, derisa iu konfirmua aktakuza nga Dhomat e Specializuara, në nëntor të 2020-s.

Megjithatë muajt e verës dhe fillimvjeshtës së 2020-s nuk i kaloi në detyrë të plotë. Kosova dhe Serbia u takuan në Shtëpinë e Bardhë në shtator, por Thaçi, tanimë me aktakuzë të ngritur, nuk shkoi atje. Delegacionin kosovar e drejtoi Kryeministri i asaj kohe, Avdullah Hoti.

Në ditën e dorëheqjes, Thaci tha se donte që në Hagë të shkonte Presidenti i Kosovës.

“Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, tha presidenti në konferencën për media në Prishtinë”, tha Thaci më 5 nëntor, për t’u nisur pas disa orëve për në Hagë.

Prej gati dy vjetësh, një ish-president, dy ish-kryeparlamentarë dhe një ish-deputet qëndrojnë në burg.

Sot dy vjet nuk dihej se kush ishin “të tjerët” në aktakuzën e Thaçit dhe Veselit. Më vonë u zbulua se janë ish-shefi i Inspektoratit të UCK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UCK-së, Jakup Krasiniqi.

Atyre u është mohuar disa herë të mbroheshin në liri.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë