Loading…

Dy ditë pasi Edi Rama vizitoi Thaçin në Hagë, Qeveria Kurti në ‘aksion’ për t’i mbrojtur ish-krerët e UÇK’së

  • 13/05/2022 | 10:06

Dy ditë pasi Edi Rama vizitoi Thaçin në Hagë, Qeveria Kurti në ‘aksion’ për t’i mbrojtur ish-krerët e UÇK’së

Nuk vonuan shumë dhe vetëm dy ditë pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi, ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë, Qeveria Kurti ka nisur që të flasë për ish-krerët e UÇK’së që po gjykohen nga Gjykata Speciale, ku dy ndër figurat kryesore të kësaj Qeverie kanë folur edhe për ndonjë vizitë të mundshme tek ta, shkruan Gazeta Metro.


Mbrëmë në intervista dhe në paraqitje publike, anëtarë të Qeverisë por edhe vet kryeministri Kurti, dolën dhe folën për të akuzuarit në Hagë.

Ajo që dikur Hashim Thaçin e Kadri Veselin i quante kriminel në sallën e Kuvendit, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, mbrëmë ka thënë se beson që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë (UÇK) janë të pafajshëm në akuzat që iu kundërvihen.

Haxhiu tha edhe se ka dyshime që po shkelën të drejtat e Thaçit dhe të tjerëve nga Gjykata Speciale.

“Ne kemi takuar kryetaren e Gjykatës. Ia kemi bërë të ditur të gjitha gjetjet që i kemi gjetur. Gjykata Speciale nuk ka një organ që i monitoron punën e tyre. Kjo do duhej të ishte debati para nisjes së seancave të zotëri Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi. Ka dyshime që po shkelën të drejtat e tyre. Natyrisht, kjo do të duhej të ishte debati”, shtoi ajo, përcjellë Metro.

LEXO EDHE: Haxhiu: Ka dyshime që po shkelen të drejtat e Thaçit dhe të tjerëve nga Specialja

Vizitë tek ish-krerët e UÇK’së në Hagë, paralajmëroi mbrëmë në RTK, kryekuvendari Glauk Konjufca.

Për mundësinë që në të ardhmen, ai t’i vizitojë ish-liderët e UÇK-së në Hagë, Konjufca tha se do t’i vizitojë të gjithë ata që gjenden në paraburgim në Hagë.

“Kur të vijë momenti për t’i vizituar ata në Hagë, do t’i vizitoj dhe do t’i takoj të gjithë atje”, tha ai.

LEXO EDHE: ​Konjufca: Kur të vijë momenti do t’i vizitoj të paraburgosurit në Hagë

Ndërkaq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për Gjykatën Speciale dhe të akuzuarit ka folur i pari i Qeverisë, Albin Kurti.

Dje në një takim me shqiptaro-amerikanët në Dallas, sipas Nacionales, Kurti foli për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më saktësisht, i pari i ekzekutivit kosovar foli rreth të ish-luftëtarëve të paraburgosur në Hagë, duke treguar se ka takuar avokatët e tyre.

Kurti u tregua i gatshëm të vizitojë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të tjerët në rast e një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Kurti tha se brengë e tij si kryeministër i Kosovës është që të gjithë të paraburgosurit janë shqiptar.

“Tash e ka marrë për barrë Ministria e Drejtësisë aspektin e vizitave, por nëse e konsiderojmë bashkërisht, mund të shkojmë, absolutisht, nuk ka kurrfarë problemi për këtë, sepse Tribunali i Hagës, EULEX-i, UNMIK-u, që të gjithë këta shkuan, e tash e kemi edhe një Gjykatë Speciale, e cila i ka që të gjithë shqiptar aty brenda. Kjo është brengë e imja, jo veç si aktivist politik i moçëm e qytetar republike, por para së gjithash si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti në SHBA.

LEXO EDHE: ‘Shih ti’, Kurti në SHBA: Nëse është e nevojshme, e vizitoj Thaçin e të tjerët në Hagë

Këto deklarata nga Qeveria Kurti vijnë pas vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, tek Thaçi në Hagë. Qeveria Kurti u kritikua nga opinionistët dhe disa qytetarë që krerët e lartë shtetërorë, nuk kanë shkuar ende për vizitë tek ish-krerët e UÇK’së në Hagë, shkruan Metro.

Nuk dihet nëse deklaratat e Kurtit dhe varësve të tij janë të ‘njëmendta’ apo janë deklarata për poenë politikë.

Kujtojmë që marrëdhëniet mes Kurtit dhe Thaçit, sa ky i fundit ishte ndër aktorët më të rëndësishëm të politikës kosovare, nuk ishin të mira.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e Prokurorisë i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për veprat penale që lidhen me krime lufte, si: ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje.

Sipas Dhomave të Specializuara, këto krime janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës.

Ndërkaq me 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuzat e reja i referohen krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe Gjilan.

Edhe për këto akuza, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë