Drejtori Ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina është pezulluar nga pozita e tij, pas vendimit të ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, shkruan Gazeta Metro.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media, teksa në vendimin e MEA bëhet e ditur se pas vlerësimit të performancës së dikastereve janë konstatuar shkelje në ushtrimin e funksionit të drejtorit ekzekutiv, Ilir Morina.
Shkak për këtë sipas vendimit është se “Morina ka dështuar të përmbushë përgjegjësinë e tij, në sigurimin e zbatimit të rekomandimeve nga raportet e auditimit”.
“Ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve të MEA-s, gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare dhe ka treguar neglizhencë gjatë bashkëpunimit me menaxhmentin e MEA-s”, thuhet në vendim./gazetametro.net