Kryetari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovë, Millovan Drecun thotë që është mirë që autoritetet françeze kanë vepruar sipas urdhër-arrestit të Serbisë për Ramush Haradinajn.
Por, ai shtoi se nuk është në rregull që për këtë ata e kanë lajmëruar Prishtinën e jo Beogradin.
Duke komentuar arrestimin e kryetarit të AAK’së Ramush Haradinaj në Francë, Drecun thekson se tani është pyetja kryesore se a do të ketë presione politike që Haradinaj të lirohet.
“Kosova, pavarësisht që Franca e ka njohur atë pjesë të territorit tonë si njëfarë shteti, edhe më tutje është pjesë e Serbisë. Krimet janë kryer në territorin tonë, ai ishte shtetas i ynë dhe mendoj se tani Franca duhet të jetë në koordinim me institucionet tona”, pretendon Drecun, transmeton gazetametro.net.
Siç ka thënë ai, “deri tani praktika ka treguar se në shumë raste Perëndimi, gjegjësisht vendet të cilat e kanë njohur Kosovën si ndonjë lloj shteti thjesht nuk dëshirojnë që t’i përmbahen rregullave ndërkombëtare dhe se në thelb ata nuk i rrespektojnë ligjet, sepse në të kundërtën do të ishin të detyruar që ta dorëzojnë Serbisë”.
“Nuk ka mëdyshje se Haradinaj është kriminel lufte. Janë të tmerrshëm krimet të cilat ai i ka kryer. Për fat të keq, ai është liruar në Hagë dhe për këtë ky tribunal është kompromentuar si gjykatë e cila gjykon sipas dëshirës politike. Shtrohet pyetja se a ka me pasë dikush forcë që këtë kriminel të tmerrshëm ta sjell para drejtësisë” thotë Drecun për Sputnjik’un rus.
Në pyetje se a ekziston ndonjë shansë që Serbia të ndikojë në autoritetet françeze për të mos ndodhur si në rastin e Sllovenisë kur Haradinaj u lirua pas dy ditësh, Drecun përgjigjet: “Franca duhet të veprojë sipas praktikës ndërkombëtare, e që do të thotë se nëse ai është arrestuar sipas fletarrestit serb, ai duhet t’i dorëzohet Serbisë”./gazetametro.net