Përmes Ambasadës së Francës në Kosovë dhe përmes postës elektronike, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, u ka dërguar autoriteteve të Francës Memorandumin lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt.
“Në këtë memorandum janë sjellë fakte që dëshmojnë se “Dosja Haradinaj” është dosje e porositur nga strukturat politike të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb dhe e shpërndarë nga njerëzit e këtij regjimi. Si e tillë, akuza kundër Ramush Haradinaj është një akuzë e motivuar politikisht dhe urdhër-arresti i lëshuar nga Serbia është urdhër- arrest i porositur nga politika e Beogradit”, thuhet në komunikatën e Nismës.
Që të shmang grackën e politikës serbe Nisma thotë se drejtësia franceze duhet ta lirojë menjëherë dhe pa asnjë kusht Ramush Haradinajn. /gazetametro.net.