Trajneri i Vushtrrisë, Samuel Nikaj në një prononcim për Gazeta Metro ka folur para ndeshjes kundër Lirisë së Prizrenit e cila do të luhet të shtunën në kuadër të barazhit. Ai gjithashtu ka treguar edhe cilin ekip nga Superliga e Kosovës do të dëshironte në rast një triumfi të mundshëm, transmeton Gazeta Metro.
Në stadiumin ’18 qershori’ në Klinë të shtunën do të zhvillohet dueli ndërmjet dy skuadrave të cilat përfunduan të dytat në Ligën e Parë në grupet A dhe B, derisa tani do të kërkojnë inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar.
Për Metron trajneri i vushtrriasve, Samuel Nikaj ka thënë se në rast të kalimit tutje do të kishte dëshirë të përballej me Prishtinën sepse do të përballeshin dy ekipe me rivalitet shumë të fortë në vitet e fundit dhe sipas tij do të ishte një skenar hollivudian.
”Më herët në një emision sportiv kur më është bërë kjo pyetje kam thënë Prishtinën pasi në mendjen time thashë vetëm Prishtina nuk na bjen, por siç e ka një shprehje mos i ik pazarit të parë po them Prishtina pasi do ta shijonim ndeshjen më me atmosferë në vitet e fundit, ku dy ekipe 100 vjeçare me rivalitet të fortë ndër vite si në fushë ashtu edhe në shkallët e stadiumit, mendoj se do të ishte një skenar hollivudian,” tha ai.
Kujtojmë se Vushtrria këtë sezon në Ligën e Parë përfundoi në pozitën e dytë me 46 pikë dhe synon rikthimin në elitën e futbollit kosovar pas dy sezonesh, kur për herë të fundit në edicionin 2019/20 kishte përfunduar në vendin e 11’të me 21 pikë dhe kishte rënë në Ligën e Parë. /gazetametro.net