Loading…

Dimal ‘livadh’ Basha jep tenderin 15 milionësh për mirëmbajtjen e autostradave me procedurë të shpejtë

  • 12/05/2026 | 15:13

Dimal ‘livadh’ Basha jep tenderin 15 milionësh për mirëmbajtjen e autostradave me procedurë të shpejtë

Mbi 15 milionë euro do të kushtojë mirëmbajtja e autostradave kryesore të Kosovës për tri vitet e ardhshme, pasi ministria që udhëhiqet nga Dimal Basha ka finalizuar me procedurë të përshpejtuar tenderin për autoudhët A7 “Ibrahim Rugova” dhe A6 “Arbën Xhaferi”.


Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që udhëhiqet nga ministri në detyrë Dimal Basha, ka përfunduar me procedurë të përshpejtuar tenderin mbi 15.9 milionë euro për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autostradave A7 “Ibrahim Rugova” dhe A6 “Arbën Xhaferi” për periudhën trevjeçare.

Tenderi, me vlerë të përgjithshme të parashikuar prej 15,942,000 eurosh, është ndarë në katër llote, ndërsa kontratat janë nënshkruar më 4 maj 2026 me disa grupe operatorësh ekonomikë që do të mirëmbajnë segmentet kryesore të autostradave të Kosovës.

Sipas dokumenteve të tenderit, procedura është zhvilluar me afat të përshpejtuar, me arsyetimin se kontratat ekzistuese skadojnë më 25 korrik 2025 dhe se institucionet kanë kërkuar që të mos krijohet boshllëk në mirëmbajtjen e rrugëve, duke e ndërlidhur këtë me sigurinë në komunikacion, shkruan Demokracia.com.

“Arsyeja e kërkesës për inicimin e procedurave të përshpejtuara të prokurimit është pasi që kontratat ekzistuese skadojnë me datë 25.07.2025. Duke pasur parasysh se kontratat ekzistuese janë kontrata kornizë me afat 36 mujor dhe nuk ekziston asnjë mundësi për vazhdimin e tyre, nga ana juaj kërkojmë të na mundësoni inicimin e procedurave të prokurimit me afat të përshpejtuar meqenëse kemi të bëjmë me sigurinë në rrugë”, thuhet në dosjen e tenderit.

Në dokumentacion thuhet se vonesat në përgatitjen e tenderit kanë ardhur për shkak të problemeve me kontratat ekzistuese, mungesës së sasive të mjaftueshme në disa pozicione dhe rrëshqitjeve të skarpateve në autostradën A7 “Ibrahim Rugova”, për çka ministria kishte kontraktuar edhe kompani projektuese për hartimin e projekteve të sanimit.

 

Tenderi milionësh është ndarë në katër llote.

Loti i parë, me vlerë 4,986,000 euro për tri vite, përfshin mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autostradës A7 “Ibrahim Rugova”, segmenti Morinë – Gjurgjicë, me gjatësi totale rreth 75 kilometra. Kjo kontratë iu dha grupit të operatorëve ekonomikë “Lika Company SH.P.K.” dhe “Lika Trade Sh.p.k.”. Për këtë lot janë pranuar 11 tenderë, por vetëm 2 janë shpallur të përgjegjshëm.

Loti i dytë, me vlerë 3,675,000 euro për tri vite, përfshin segmentin Bresje – Besi të autostradës A7, rrugën nacionale N9 Bresje – Gjurgjicë dhe nyjet lidhëse deri në Besi. Fitues u shpall grupi “Arbotec SH.P.K.”, “DELTA – CCD SH.P.K.” dhe “Rinesa SH.P.K.”. Edhe për këtë lot janë pranuar 11 oferta, ndërsa vetëm 2 operatorë janë konsideruar të përgjegjshëm.

Loti i tretë kap vlerën 4,047,000 euro për tri vite dhe përfshin segmentin e autostradës A6 “Arbën Xhaferi” nga nyja A7/A6 deri në Ferizaj. Kontrata iu dha grupit “BAGERI SH.P.K.”, “ILEAA – GR SH.P.K.” dhe “EL-BAU SH.P.K.”. Edhe këtu rezultojnë 11 tenderë të dorëzuar dhe vetëm 2 të përgjegjshëm.

Loti i katërt, me vlerë 3,234,000 euro për tri vite, përfshin segmentin Ferizaj – Hani i Elezit të autostradës A6 “Arbën Xhaferi”. Fitues është shpallur grupi “EUROKOS HOLDING SH.P.K.”, “VIA” dhe “Dio Bes SH.P.K.”.

Në dokumentet teknike të tenderit specifikohet se kontraktorët do të jenë përgjegjës për mirëmbajtjen 24 orë në ditë të autostradave A7 dhe A6, duke përfshirë pastrimin dimëror, menaxhimin e incidenteve, mirëmbajtjen e urave, nënkalimeve, gardheve, sinjalistikës, ndriçimit, drenazhimit dhe zonave të servisit.

LlOT-1: Përfshinë Mirëmbajtjen Rutinore dhe Dimërore te Autoudhës “Ibrahim Rugova” A7 – segmenti Morinë – Gjurgjicë, kyqjet dhe daljet në autoudhë, të gjitha strukturat dhe rrugën Lidhëse, Rrethi në rrugën Rajonale R107 – Rrethi në Kyqjen e Autoudhës, gjatësi të përgjithshme L=75km (gjatësia e autoudhës L=60.68km dhe kyçjet e rruget lidhese me L=14.32 km);

LlOT 2 :  Përfshinë Mirëmbajtjen Rutinë dhe Mirëmbajtjën Dimërore të Autoudhës A7 “Ibrahim Rugova” segmenti Bresje – Besi, kyqjet dhe daljet në autoudhë me të gjitha strukturat dhe rruga Nacionale N9, segmenti: Bresje – Gjurgjicë, gjatësi të përgjithshme L=58.39km (autoudhë L= 40.75km dhe kyqjet me rruget lidhese me L=17.64 km);

LlOT 3 : Përfshinë Mirëmbajtjen Rutinë dhe Mirëmbajtjën Dimërore të Autoudhës A6 “Arbën Xhaferi” segmenti: nga kyçja e Autoudhës A7/A6 me rrugën Nacionale N2, udhëkryqi Veternik deri te kyçja në Bibaj (Ferizaj), kyqjet dhe daljet në autoudhë me të gjitha strukturat, me gjatësi të përgjithshme L=46.79km (autoudhë L=34.82km dhe kyqjet me rruget lidhese me L=11.97km);

LlOT 4 : Përfshinë Mirëmbajtjen Rutinë dhe Mirëmbajtjën Dimërore të Autoudhës A6 “Arbën Xhaferi” segmenti: nga kyçja Bibaj (Ferizaj) – Hani i Elezit, kyqjet dhe daljet në autoudhë me të gjitha strukturat, me gjatësi të përgjithshme L=33.35km (autoudhë L=28.54km dhe kyqjet me rruget lidhese me L=4.81km).

Po ashtu, kompanitë fituese obligohen të hartojnë plane operimi për raste aksidentesh, vërshimesh, erozioni të dheut dhe bllokime të korsive, si dhe të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me menaxherët e projektit dhe autoritetet përgjegjëse.

Sipas ndarjes buxhetore të tenderit, ministria ka llogaritur një buxhet vjetor prej 5,314,000 eurosh për mirëmbajtjen e autostradave A7 dhe A6, ndërsa vlera totale për 36 muaj arrin në 15,942,000 euro.

Në dosjen e tenderit jepen edhe detaje të hollësishme për mënyrën e ndarjes së buxhetit. Ministria sqaron se rrjeti rrugor është ndarë sipas lloteve, ndërsa përllogaritjet janë bërë duke u bazuar në sipërfaqen e autostradave që duhet të mirëmbahen, sipërfaqen e vegjetacionit, kostot operative dhe pjesëmarrjen proporcionale të secilit lot në buxhetin total.

Ministria sqaron se vlerat janë rrumbullaksuar në mënyrë që tre shifrat e fundit të jenë zero, ndërsa sipërfaqja e vegjetacionit është llogaritur në mënyrë të përafërt dhe do të verifikohet gjatë zbatimit të kontratave nga menaxherët e projekteve.

Specifikimet teknike të tenderit parashohin një gamë të gjerë obligimesh për kompanitë fituese.

Kontraktorët do të jenë përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradave 24 orë në ditë dhe gjatë gjithë vitit, duke siguruar staf dhe mekanizëm edhe gjatë natës.

Në kuadër të mirëmbajtjes përfshihen pastrimi dimëror, largimi i borës dhe akullit, menaxhimi i incidenteve, mirëmbajtja e drenazhimit, gardheve mbrojtëse, sinjalistikës rrugore, ndriçimit, zonave të asfaltuara, urave, mbikalimeve, nënkalimeve, parkingjeve dhe qendrave të mirëmbajtjes.

Po ashtu, kompanitë obligohen të hartojnë plane të veçanta për menaxhimin e motit të keq, vërshimeve, aksidenteve, erozioneve të dheut dhe rasteve të tjera emergjente që mund të ndikojnë në zhvillimin normal të komunikacionit.

Tenderi kërkon gjithashtu që operatorët ekonomikë të krijojnë databaza të mirëmbajtjes për autostradat, të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me menaxherët e projektit dhe të raportojnë rregullisht për ecurinë e punimeve.

Në dokumentacion theksohet se autostradat A7 dhe A6 duhet të jenë funksionale 24 orë në ditë dhe pa pengesa në të gjitha kushtet atmosferike, ndërsa kontraktorët obligohen të ndërmarrin të gjitha masat për garantimin e sigurisë në komunikacion dhe ruajtjen e infrastrukturës rrugore në gjendje sa më afër asaj kur është ndërtuar.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë