Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas kthimit nga takimi i Brukselit me palën serbe, me ndërmjetësim të BE’së, ka mbajt një konferencë për media, lidhur me bisedimet e mbrëmshme me homologun e tij serb Tomislav Nikolic dhe kryeministrin Alekdandar Vucic.
Ai ka thënë se dialogu ka arritur që të ulë tensionet, por se duhet që ai të ketë një cak të qartë, dhe ai të jetë paqja në rajon dhe pajtimi mes dy shteteve.
“Jam shumë i kënaqur që qëllimi kryesor i takimit për uljen e tensioneve është arritur. Por na mbetet shumë të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore. Është e rëndësishme që të kërkojmë ndalimin e veprimeve nga Serbia që qëllim kishin destabilizimin e situatës në Kosovë”, ka thënë Thaci.
Presidenti ka deklaruar se pala kosovare do të respektojë zotimet nga takimi i së martës mbrëma me atë serbe.
Më tutje Thaci ka theksuar se shpreson që edhe fqinji verior i Kosovës ta bëjë të njëjtën dhe të përmbahet nga veprimet provokuese.
“Pala kosovare do t’i respektojë në tërësi zotimet nga takimi i brendshëm. Shpresoj që një gjë të tillë ta bëjë edhe Beogradi. Përmbajtja nga mesazhet që ngrisin tensionet është në të mirë të të gjithëve”.
“Zotimi ynë është dërgimi i mesazheve për uljen e tensioneve. Në të njëjtën kohë besoj që Serbia do të respektojë zotimin për mosprovokim”.
Sa i përket rrëzimit të murit, Thaçi ka thënë se ende fuqishëm është prapa fjalëve të tij se ai duhet rrëzuar.
“Të gjitha deklaratave që kam dhënë deri sot, nuk u heq asnjë pikë. Autoritet kosovare duhet të respektojnë në tërësi Kushtetutën e Kosovës. Por do të ishte mirë që ata që e kanë ndërtuar murin, ta heqin atë”.