Loading…

Dëshmitari thotë se zyra e prokurorit të TPNJ’së kishte bashkëpunuar me Serbinë për çështjet e Kosovës

  • 28/01/2022 | 11:46

Dëshmitari thotë se zyra e prokurorit të TPNJ’së kishte bashkëpunuar me Serbinë për çështjet e Kosovës

Dëshmitari ekspert Robert Reid, i cili ka punuar si shef i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), ka deklaruar se edhe ata kishin bashkëpunuar me Serbinë për çështjet e Kosovës.


“Ne kemi bashkëpunuar me Republikën e Serbisë për shumë gjera, për çështjet e Kosovës e kështu me radhë”, tha Reid.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë në gjykimin e së premtes, në rastin ku për vepra penale që ndërlidhen me administrimin e drejtësisë po akuzohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Sipas tij, Vutkeviq ka qenë prokuror i krimeve të luftës në Serbi dhe shumë herë janë marrë me të për çështjet në Kosovë.

“A keni menduar se me bashkëpunimin është kompromentuar pavarësia hetimore?”, u pyet Reid, për çka tha se nuk mendon se bashkëpunimi e ka kompromentuar hetimin e se Vutkeviq ka provuar t’i ndihmojë disa herë dhe se e ka penguar qeveria e tij.

Tutje, ka konfirmuar se kanë marrë informacione në disa raste nga individë që janë dyshuar për krime lufte.

“Ka ndodhur disa herë në rastin kur vet aktorët e krimit kanë dhënë dëshmi apo informacion, ne pastaj kemi bërë verifikimin e dëshmisë së dhënë për të parë nëse është e vërtetë. Ka disa raste kur të akuzuarit që kanë pranuar krimin, japin dëshmi për eprorët e tyre dhe në fakt bëhet pastaj verifikimi i dëshmisë”, ka thënë Reid.

Paraprakisht, duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Valeria Bolicci, dëshmitari ka konfirmuar se në raportin e tij e ka përshkruar operacionin e konfiskimit që në vitin 1997 ka drejtuar në Prijedor dhe se atë pjesë e ka hartuar nga kujtesa e tij, ku nuk i referuar ndonjë dokumenti.

Ai tha se kujtesa e tij nuk është aq e mirë si para 24 viteve, por se ky mision i kujtohet në mënyrë të veçantë. Sipas tij, ky mision i ka ngelur në mendje dhe kujtesë e se kontrolli është bërë në tre ndërtesa, në stacionin e policisë dhe në ndërtesën e bashkisë, e se selia e partisë SDS ka qenë në listën e ndërtesave që duhej kontrolluar.

Më pas, pasi u pyet nga Bolicci, tha se në vend të selisë së partisë mund të ketë qenë një seli e një radioje, pasi tani po i kujtohet se kanë marrë disa kaseta që nuk mund të transkriptoheshin.

“Pra ishin katër?”, ka pyetur Bolicci, për çka Reid tha se mendon se kanë qenë tre dhe se ka qenë radio “Prijedori”.

Pasi iu lexua një transkript, ai tha sa i kujtohet e kanë kontrolluar ndërtesën e bashkisë, policisë dhe tani i kujtohet edhe radio “Prijedor”, por se nuk i kujtohet dhe nuk është i sigurt për ndërtesën e SDS-së.

Këtë aksion ai tha se e ka ilustruar si një shembull për të treguar si është bërë kontrolli dhe si kanë zbatuar zingjirin e ruajtur.

“Në Prijedor janë konfiskuar me dhjetëra faqe dokumente dhe ajo që bënim në këto raste, në dosjet e mëdha kishte një përshkrim, p.sh. thuhet “rojet në stacionin policor të Kozarakut” dhe kështu e kemi përshkruar, mund të ketë pasur 20 faqe në atë dosje, por nuk më kujtohet çfarë dokumente kanë qenë”, ka thënë ai tutje.

Sipas tij, personat në stacionin e policisë kanë pasur njohuri të plotë se cilat dokumente janë konfiskuar.

Bolicci e pyeti nëse personat që u janë konfiskuar dokumentet kanë pasur mundësi të përshkruajnë për përmbajtjen e këtyre dosjeve, e Reid u përgjigj: “Nuk di nëse në stacionin e policisë ka qenë aty gjithë kohën, por më kujtohet se unë kam folur me kryetarin e bashkisë, por siç thash kemi pas oficerë të policisë serbska që kanë qenë të pranishëm dhe kanë ditur se çfarë dokumente po konfiskohen”.

Ai tha se standardi ishte të bëhej inventari në vendin ku merren dokumentet, por se për shkak të rrethanave e bënë te selia ushtarake.

“Besueshmëria e autenciteti është çështje ndryshe, por nuk besoj se ka ndryshuar në zingjirin e kontrollimit”, tha ai.

“Hetuesit nuk ishin në gjendje të përshkruanin të gjitha materialet në gjuhën boshnjake në vendin e ngjarjes?”, pyeti Bolicci, por se dëshmitari tha se nuk bie dakord me këtë, pasi kishte ndihmës që u kanë ndihmuar në përkthim dhe përshkrim.

Ai konfirmoi se operacioni ishte planifikuar disa herë më parë, e nga Bolicci u pyet nëse do të ishte problematike gjendja e përkthyesve nëse operacioni do të zhvillohej në moment të fundit. Për këtë Reid tha se mundet të qëndroj kjo.

Prokurorja Bolicci tha se dëshmitari në raportin 14 shkruan “gjatë sekuestrimit të dokumentacionin u plotësuan formularë të ndryshëm, janë marrë në video dhe fotografi u vënë në qese të provave e pastaj është futur në kuti të provave”. E njëjta e pyeti nëse është i sigurt që kjo procedurë është ndjekur, për çka dëshmitari tha se e njëjta është ndjekur në kontrollin e bërë në ndërtesën komunale dhe mund të flas në mënyrë kategorike për atë.

“Dokumentacioni gjithsesi është dokumentuar gjatë kryerjes së kontrollit”, ka thënë dëshmitari.

Ndërkaq, në një transkript që i lexoi tha se dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet nëse janë përdorur qeset e provave dhe se të njëjtat mund të jenë futur në kuti.

“Unë këtë thash”, iu përgjigj dëshmitari prokurores, duke shtuar se është ose në qese provash ose kuti provash.

Tutje, tha se në bashkinë komunale kanë përdorur qese provash dhe më pas i kanë vendosur në kuti provash, ndërsa kur u pyet nga prokurorja se a është preciz për këtë përgjigje, ai shtoi se nuk mund të jetë 100% i saktë.

Ai ka konfirmuar se ka deklaruar se të gjitha dokumentet e sekuestruara janë sekuestruar sipas zingjirit të ruajtjes.

“Zingjiri i ruajtjes është proces, nuk ka të bëj fare me vulën e vendosur. Ka të bëj me metodat që thonë çka kanë të bëjnë këto dokumente, në pastaj ja jepnim njësisë së provave dokumentacionin që tregonte zingjirin e papritur që nga minuta kur i kemi marrë deri kur kanë shkuar në Hagë në njësinë e provave”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo tregon se nuk është prishur zinxhiri i ruajtjes dhe se vendosja e vulës së njomë nuk tregon se është ruajtur zinxhiri i ruajtjes.

“Ne kishim dokumentacionin në rregull dhe bëmë dhe inventarin për të parë që këto momente që kur janë marrë nga bashkia kanë qenë në ruajtjen tonë, edhe në selinë ushtarake se kanë qenë në ruajtjen tonë, edhe nga Banjaluka në Zagreb kanë qenë në ruajtjen tonë dhe prandaj kemi marrë vendimin që t’i dërgojmë me veturë nga Zagrebi në Hagë, për t’i pasur në ruajtje gjithë kohën”, tha ai.

Ky dëshmitar ka deklaruar se nuk i është dhënë ndonjë dokument i dorëzimit të qeseve të provave që përmbanin paketën 1 dhe 4 për rastin e operacionit të ZPS-së në OVL-UÇK.

“Sipas përvojës suaj gjatë kryerjes së një hetimi penal konfidencial, nëse një dëshmitar i jep prova prokurorisë që janë të favorshme për pistën e çështjes penale në fjalë, kjo nuk përbën arsye pse deklarata nuk është më konfidenciale, besoj pajtoheni me këtë?”, ka pyetur prokurorja.

E dëshmitari e konfirmoi këtë, si dhe konfirmoi se nuk mund të mos cilësohet jo konfidenciale deklarata vetëm se pse prokuroria në një rast vendosë mos ta thërrasë këtë dëshmitar.

Dëshmitari Reid tha se dëshmitarët e vdekur duhet të mbrohen gjithashtu, pasi sipas tij, nëse një dëshmitar ka vdekur nuk do të thotë që ata nuk gëzojnë mbrojtje.

“Mendimi juaj është që edhe dëshmitari që ka vdekur edhe ky duhet të jetë subjekt i konfidencialitetit?”, ka pyetur Bolicci.

Ai tha se dëshmitari i vdekur duhet të marrë këtë mbrojtje, por ajo që është e rëndësishme që mbrojtja duhet t’i jepet edhe familjarëve të dëshmitarit që ka vdekur.

“Dokumentet që përshkruajnë sekuestrimin e dokumenteve, a do të ishte i rëndësishëm për ju ndërkohë që kundërshtonit praktikën e ZPS, a do të ishte i dobishëm një dokument i tillë?”, ka pyetur Bolicci.

E dëshmitari tha se do të kishte qenë i rëndësishëm dhe se nuk e ka pasur në dispozicion të njëjtin dhe nuk e dinte se ekzistonte.

Edhe për një dokument tjetër që iu tregua, tha se është një dokument tjetër që do të ishte i dobishëm, por tha se jo domosdoshmërisht ai mendon se paketa 4 është pjesë e zinxhirit të ruajtjes.

“Ky është dokument që ka të bëj me dorëzimin e dokumenteve të sekuestruara, nuk është që flet për një urdhër apo që ka të bëj me kontrollin dhe sekuestrimit. Megjithatë do të ishte i dobishëm dhe do të kishte qenë mirë të kishte pasur më shumë informacion”, ka thënë ai.

Tutje, tha se ai tregoi se çfarë dokumente ka pasur në dispozicion dhe nuk ka pasur as deklaratat e hetuesve të ZPS-së.

Dëshmitari tha se nuk ka thënë se ZPS nuk ka ndjekur procedurën e rregullt, por se po të kishte qenë ai në vendin e tyre do të kishte ndjekur një procedurë të caktuar dhe se ky është vlerësimi i tij.

Ndërkaq, avokati Toby Cadman, që mbron Nasim Haradinaj, tha se dëshmitarit i janë dhënë të gjitha dokumentet që kanë pasur në dispozicion dhe nuk qëndron sugjerimi që nuk i janë dhënë të njëjtit të gjitha dokumentet që kanë pasur në dispozicion.

“ZPS ka refuzuar të përfshihet dhe ne i kemi thënë dokumentet që kemi pas në dispozicion në atë kohë”, ka thënë avokati Cadman.

Kurse, prokurorja tha se ZPS nuk ka përcaktuar çfarë dokumentesh duhet t’i jap mbrojtja ekspertit të vet.

Ndërkaq, dëshmitari tha se një pjesë e dokumentacionit i ka ndihmuar për të vlerësuar apo vlerësuar pjesërisht, kurse dokumentet që iu treguan nuk i ka pasur në dispozicion.

Më pas, duke u përgjigjur në pyetje të trupit gjykues, nga ai është kërkuar të tregoj nëse klima apo mjedisi i frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë që e ka përshkruar ka ndikuar në punën e tyre.

“Sa i takon hetimit, kemi qenë në gjendje të mbronim informacionit deri në kohën kur janë ngritur aktakuzën. Atëherë kemi filluar që të kemi probleme, kur gjërat u bënë publike dhe siç e thash dëshmitarët ose refuzonin të jepnin më prova dhe dhashë një shembull të një dëshmitari në Hagë që erdhi, ishte në bankën e dëshmitarit dhe refuzonte të fliste, pavarësisht se gjyqtari i tha që nëse nuk do të jepte dëshmi, do të shkonte në burg dhe ai vendosi të mos fliste”, tha dëshmitari Reid.

Tutje, dëshmitari tha se çështja e parë ishte e Fatmir Limajt, çështja e Ramush Haradinajt dhe rigjykimi i tij, e se në tri rastet prokuroria ka pasur probleme.

Ai tha se vështirësia me Kosovën është se familjet ishin shumë të mëdha dhe mund të ishin shumë persona që jetonin me njëri-tjetrin dhe ishte më e vështirë të bëhej lëvizja e njerëzve.

“Me sa kujtohet, kemi bërë njëherë këtë procedurë, evakuimin e një familje që kishte të bënte me një dëshmitar”, tha ai.

Tutje, është pyetur nëse do të ishte shqetësuar nëse informacioni i mbrojtur me dëshmitarin do të bëhej publike, ai tha: “Do të isha i shqetësuar shumë. Rrjedhja e çfarëdo informacioni e cenon shumë çështjen e prokurorisë. Rrjedhja e informacionit që ka të bëj me dëshmitarët është dyfish më i rëndë pasi ka ndikim në psikologjinë e dëshmitarit X dhe komunitetit të përgjithshëm të dëshmitarëve”.

Sipas tij, do të kishte efekt të përgjithshëm dhe nëse informacioni për një dëshmitar del, kjo mund të ketë ndikim në 15-16 dëshmitarë të tjerë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë