Loading…

Dëshmitarët e vrasjes në ‘Bon Vivant’ tregojnë detaje rreth rastit

  • 27/04/2017 | 09:10

Dëshmitarët e vrasjes në ‘Bon Vivant’ tregojnë detaje rreth rastit

Rreth ditës kritike kur u vra Rrahman Uka dëshmuan eksperti i kriminalistikës, mjeku ligjor i rastit, një doktor që kishte rastisur në vendin e ngjarjes dhe hetuesi kujdestar.


Në gjykimin e Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, të cilët akuzohen për vrasjen e Rrahman Ukës më 13 tetor 2014, dëshmuan zyrtari policor, Ismet Shabani, doktori i cili i kishte dhënë ndihmën e parë tani të ndjerit, Valon Vokshi, mjeku ligjor, Naim Uka dhe eksperti i kriminalistikës, Rrustem Berisha.

Zyrtari policor Ismet Shabani, ishte i pari që dëshmoi në gjykatore. Shabani ishte hetues kujdestar në ditën kritike.

Me të arritur në lokal, Shabani tha se kishte parë një situatë të çrregulluar, e shoqëruar me shishe të rrotulluara në tavolinë e njolla gjaku nëpër tokë.

Ai kishte marrë shënime në vend të ngjarjes e më pas kishte përpiluar raportin rreth të gjeturave në lokal.

“Masar Gërdovci e ka aktivizuar armën dhe ka shtënë në drejtim të sigurimit dy herë”, thotë raporti i shkruar nga Shabani.

Për këtë të gjetur, ai tha se ishte bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët janë identifikuar dhe janë intervistuar.

Më tej, në raport shkruhet se i ndjeri Uka kishte tërhequr zvarrë të dyshuarin, e më pas i njëjti edhe kishte shtënë në drejtim të tij.

“Duke tërheqë zvarrë të dyshuarin pasi që kanë dalë para derës, i dyshuari e ka aktivizuar armën dhe ka shtënë në drejtim të sigurimit”, thuhet në raport.

Pas Shabanit, në pyetje u mor dëshmitari i radhës, Valon Vokshi, i cili i kishte dhënë ndihmën e parë tanimë të ndjerit.

Vokshi kishte qenë duke qëndruar si mysafir në lokal deri sa kishte dëgjuar britmat.

Ai tha se kishte qenë i ulur menjëherë tek hyrja në fillim të terrasës së lokalit “Bon Vivant” kur dikush ka bërtitur “armë, armë”.

Qëllimi i tij ka qenë ta largojë bashkëshorten nga vendi, ku të njëjtën më pas e kishte dërguar në një butik afër lokalit, në mënyrë që të shmangte rrezikun.

Gjatë kohës që kishte dërguar bashkëshorten e tij në butik, ai tha se kishte dëgjuar dy krisma.

“Kam dalë dhe kam shkuar në vend të ngjarjes sepse në atë kohë isha mjek i mjekësisë familjare dhe dojsha me u ndihmu. Qëllimi im ishte që nëse dikush ka qenë i dëmtuar atëherë unë t’i ndihmoj”, tha Vokshi.

Kur kishte arritur, ai kishte parë Rrahman Ukën duke qëndruar në këmbë, me gjakderdhje në dorën e djathtë.

Vokshi i kishte bërë një inspeksion vizuel Ukës, tanimë i ndjerë, dhe i kishte ndihmuar që ta zhveshte fanelën.

Me të zhveshur maicën, ai kishte parë plagën e dytë në gjoks.

“I kam thënë me u ulë dhe me u shtri. Pastaj kam bërë direkt kompresion me dy duart, me qëllim që ta ndali gjakderdhjen. Në fund, filloi të e humbë orientimin dhe kam vërejt një zbehje në fytyrë dhe kam dyshuar se po humbë gjak”, tha dëshmitari.

Gjatë tërë kësaj kohe viktima kishte qenë duke bërtitur, duke u ankuar se ka dhimbje.

Kështu kishte vazhduar ngjarja deri në kohën kur kishte arritur ndihma e shpejtë.

Në pyetjen e avokatit të të akuzuarit Masar Gërdovci, Mexhid Syla, se a e ke rezervuar atë ditë tavolinën në lokalin “Bon Vivant” apo jo, Vokshi u përgjigj: “Atë ditë nuk e kam rezervuar, por varësisht prej rastit e kam rezervuar”.

Më tej dëshmi dha mjeku ligjor, Naim Uka.

Ai shpjegoi se gjatë procedurave të ekzaminimit të brendshëm të autopsisë kanë konstatuar dy plagë të shkaktuara nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga armët e zjarrit.

“Plaga e parë është evidentuar në regjionin e djathtë të sipërm të gjoksit si plagë hyrëse e cila shkon pjerrtas poshtë dhe majtas duke tejshkuar lobin e sipërm të mushkërisë së djathtë”, tha Uka, raporton Kallxo.com

Kjo plagë, sipas ekzaminimit të brendshëm në sallën e autopsisë, kishte qenë edhe plaga vdekjeprurëse.

Më tutje, eksperti i kriminalistikës, Rrustem Berisha, tha se kur kishte arritur atë pasdite në vendin e ngjarjes, lokali kishte qenë i frekuentuar nga një numër i madh i njerëzve, sidomos nga terrasa e pasme e lokalit.

“Deri sa kolegët e mi e kanë vu situatën nën kontroll, ka mujtë me u zhdukë ndonjë provë”, tha Berisha.

Në raportin e përpiluar nga Berisha thuhet se në vend të ngjarjes ishte gjetur një gëzhojë dhe një predhë.

Ai tha se distanca në mes predhës dhe gëzhojës kishte qenë rreth 1 – 1,5 metër, por për më saktësisht duhet të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë