Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova ka folur për procedurat e rasteve të cilat janë në shqyrtim në Gjykatën Speciale pas ngritjes së aktakuzave për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Trendafilova ka treguar se seanca e parë gjyqësorë ndaj Salih Mustafës do të mbahet më 15 shtator, ndërsa deri në fund të këtij muaji mund të ketë edhe seancë ndaj dy-ish krerëve të OVL e UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Ajo ka folur gjithashtu për rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish-shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi dhe ish-kreut të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi duke thënë se palët, si mbrojtja ashtu edhe gjyqtarët po punojnë në mënyrë aktive për rastin.
“Në fazën e procedurës paraprake kemi rastin ndaj z.Thaçi, z.Veseli, z.Selimi dhe z.Krasniqi, janë 10 pika të aktakzës për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Puna është shumë intensive dhe është duke vazhduar. Ekipet mbrojtëse janë shumë aktive dhe kjo është puna e tyre, duhet të jenë shumë aktiv në mënyrën më të mirë të mundhsme që të paraqesin interesat e klientëve të tyre dhe gjykatësit e procedurës paraprake janë poashtu duke e kryer punën e tyre në mënyrë aktive.”, tha ajo.
Raportimi i Trendafiloves është ndërprerë nga aktivistë të PSD’së gjë që ka pasuar më tutje me arrestimin e tyre. /gazetametro.net