Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Florian Loshaj, nuk po kalon momente të mira te skuadra e tij Cracovia. Ai së fundi është dërguar të stërvitet me juniorët e skuadrës polake, transmeton Gazeta Metro.
Këtë e ka konfirmuar trajneri, Jacek Zielinski, në një intervistë për mediumin lokal ‘LoveKrakow’.
Ai duke folur për prurjet e reja në skuadër dhe largimet e mundshme bëri të ditur se Loshaj nuk bën pjesë në planet e tij në vazhdim të këtij edicioni.
”Ne e ndihmuam atë në çdo situatë të mundshme. Për momentin nuk kemi asnjë interes për Loshajn. Nëse na mungon një lojtar në mesin e fushës, do të përdorim djemtë tanë të rinj,” ka thënë polaku 61-vjeçar.
Kontrata e Loshaj me skuadrën polake përfundon në verën e këtij viti.
Ai këtë sezon është paraqitur në 16 ndeshje me Cracovian ku ka realizuar një gol dhe ka regjistruar dy asistime. /gazetametro.net