Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj – Bujupi, njëherit dhe anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka deklaruar se BE nuk është fajtore per mosliberalizim të vizave, kështu ajo ka hedhur fajin kryesor të Qeveria.
Ndërkaq, sipas saj, përgjegjës për shkallën e lartë të korrupsionit janë presidenti dhe kryetari i kuvendit.
“E për krimin dhe korrupsionin, përgjegjës kryesorë pa dyshim janë Presidenti Hashim Thaçi e Kryparlamentari Kadri Veseli, që tash po e bëjnë përgjegjëse BE-në për vonesat në këtë proces. Thaçi e Veseli, së bashku edhe me kryeministrin Mustafa janë koka të krimit që e kanë bllokuar Kosovën brenda dhe e kanë izoluar”, ka shtuar ajo.
Pavarësisht kësaj, ajo ka vlerësuar se demarkacioni si kriter për liberalizim të vizave për Kosovën është i padrejtë. Sipas Kadaj-Bujupit ky kriter nuk i është caktuar asnjë vendi tjetër nga BE-ja, pos Kosovës. Deputetja e LVV-së tutje, ka thënë se Kosova aktualisht është larg nga procesi i integrimit dhe liberalizimit.
“Jemi shumë larg. Vërtet është fatkeqësi, dhe jemi në gjendje tmerrësisht të keqe. Kriminelët kanë kapur secilin institucion dhe vendi po ka regres në secilën fushë”, është shprehur ajo.