Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, ka thënë se qeverisja e Albin Kurtit ka rritur shpenzimet në mënyrë enorme, shkruan Gazeta Metro.
Ai tutje ka thënë se kreut të Qeverisë në detyrë “do t’i hiqet shpejt maska”, meqë sipas Hoxhës të gjitha premtimet elektorale të këtyre partive në pushtet kanë qenë një mashtrim vetëm për egot e tyre për pushtet.
“Qytetar të dashur, maska e kësaj qeverie të papërgjegjshme do të hiqet shpejt dhe do ta kuptoni që të gjitha premtimet elektorale të këtyre partive në pushtet kanë qenë një mashtrim vetëm për egot e tyre për pushtet”, tha ai.
Hoxha shtoi se Kurti kishte premtuar që do të ketë prioritet reduktimin e shpenzimeve, por u tregua shumë i papërgjegjshëm në menaxhimin e parasë publike.
“Kjo më së miri kuptohet në raportin financiar të tremujorit të parë TM1 (Janar-Mars )2020, gjë qe në këtë raport shihet qe kemi rritje enorme të shpenzimeve në shumicën e kategorive buxhetore. Ata premtuan zvogëlim të numrit të ministrive dhe pozitave të tjera shtetërore, por ky veprim doli të jetë për konsum politik”, ka shkruar Hoxha. /gazetametro.net